Profesori universitar dhe ish-ministri Lubomir Frçkoski është rikthyer te rruga e gjatë dhe e vështirë e Kishës Ortodokse Maqedonase drejt autoqefalisë, duke akuzuar drejtpërdrejt faktorët që, sipas tij, për dekada penguan njohjen e saj.
Sipas Frçkoskit, çështja e Kishës maqedonase për dekada ka qenë peng i ambicieve imperialiste të vendeve fqinje dhe bllokadave gjeopolitike brenda botës ortodokse.
Ai thekson se procesi i njohjes ishte bllokuar fuqishëm nga Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa sipas tij edhe Kisha Ortodokse Ruse mbështeste qëndrimet serbe.
“Serbët kanë qenë gjithmonë arrogantë dhe refuzonin të nisnin çfarëdo bisede me ne. Na trajtonin si çështje të tyre të brendshme serbe dhe, në arrogancën e tyre të njohur imperialiste, refuzonin ta trajtonin këtë çështje. Dhe kjo na u bllokua për plot 55 vjet”, ka deklaruar Frçkoski, duke folur për qëndrimin e Kishës Ortodokse Serbe ndaj kërkesës maqedonase për autoqefali.
Edhe rruga drejt Fanarit ishte e bllokuar
Frçkoski shpjegon se edhe alternativa tjetër – drejtimi i drejtpërdrejtë te Patriarkana Ekumenike në Kostandinopojë – ishte praktikisht e pamundur.
Sipas tij, pengesa kryesore ishte politike: mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.
“Drejtimi i drejtpërdrejtë te Kostandinopoja ishte i vështirë për shkak të kontestit me Greqinë, pasi Kisha greke ka ndikim te Patriarku Ekumenik. Edhe kjo ishte e bllokuar derisa kontesti u zgjidh në vitin 2018 me Marrëveshjen e Prespës”, ka shpjeguar ai.
Frçkoski vlerëson se zgjidhja e kontestit politik me Greqinë luajti një rol të rëndësishëm në zhbllokimin e çështjes së Kishës maqedonase.
“55 vjet në situatë të ngrirë”
Si rezultat i këtyre dy bllokadave, Frçkoski thotë se Kisha maqedonase për 55 vjet mbeti në një “situatë të ngrirë si kishë skizmatike”.
Ai e krahasoi këtë pozitë me atë të Kishës ukrainase dhe asaj malazeze, të cilat, sipas tij, gjithashtu u përballën me një pozitë të vështirë dhe izolim brenda botës ortodokse.


