Erdogan kritikon Izraelin në OKB për situatën në Gaza/ Delegacioni izraelit largohet nga salla (VIDEO)

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku kritikoi ashpër Izraelin për situatën në Gaza.

Gjatë fjalës së tij, Erdogan akuzoi Izraelin për veprime ndaj popullsisë palestineze, duke përdorur terma të ashpër për të përshkruar situatën në enklavë.

“Përballë nesh kemi një mentalitet gjenocidal që nuk ngopet së vrari. Askush me ndërgjegje nuk mund t’i mbyllë sytë para kësaj pamjeje”, deklaroi Erdogan, sipas mediave turke.

Presidenti turk tha gjithashtu se Gaza është “varreza më e madhe e fëmijëve në botë” dhe pretendoi se ajo ka edhe një nga nivelet më të larta të amputimeve te fëmijët.

Erdogan e përshkroi gjithashtu Gazën si një “kamp përqendrimi” të kohëve moderne.

Pas deklaratave të presidentit turk, delegacioni izraelit u largua nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.