Takim Gashi-Hilal: Forcimi i bashkëpunimit për barazinë gjinore dhe avancimi i pjesëmarrjes së të rinjve

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është takuar me Zeina Hilal, drejtoreshë e Programit për Gjininë dhe Rininë pranë Unionit Ndërparlamentar (UIP), në prag të ngjarjes së nesërme me temë „Avancimi i barazisë gjinore dhe lufta kundër dhunës digjitale ndaj grave në politikë në Maqedoninë e Veriut“.

Sipas kabinetit të Gashit, gjatë takimit u diskutuan çështjet dhe sfidat aktuale që lidhen me avancimin e barazisë gjinore, rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike dhe politike, si dhe krijimin e kushteve për përfshirjen e tyre aktive dhe të barabartë në proceset e vendimmarrjes.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave me të cilat përballen gratë dhe të rinjtë në hapësirën digjitale, përfshirë dhunën digjitale dhe format e ndryshme të diskriminimit. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për avancimin e vazhdueshëm të mekanizmave institucionalë për parandalim dhe mbrojtje, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit për identifikimin dhe parandalimin e të gjitha formave të dhunës dhe pabarazisë.

Në takim u diskutua edhe ndikimi i stereotipeve gjinore në mundësitë për pjesëmarrje të barabartë të grave në jetën publike. Po ashtu, u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi ku gratë dhe të rinjtë do të kenë mundësi të barabarta për të kontribuar në proceset demokratike dhe në hartimin e politikave.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që Kuvendi, në bashkëpunim me Unionin Ndërparlamentar, të punojë për forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.

„Përkushtimi i përbashkët për këto çështje është me rëndësi të veçantë për ndërtimin e një shoqërie në të cilën barazia, përfshirja dhe respektimi i të drejtave të njeriut do të jenë vlera themelore“, thuhet në njoftimin e kabinetit të Gashit.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit theksojnë se vazhdimi i bashkëpunimit me UIP-në përbën një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një hapësire më të sigurt, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse për gratë dhe të rinjtë, me qëllim që ata të marrin pjesë aktive në jetën publike dhe të japin kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë demokratike.