E gjuajtën me vezë në New York, Rama: Pula histerike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në platformën X pas protestës së disa aktivistëve shqiptarë në New York, gjatë vizitës së tij në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë protestës, në drejtim të Ramës janë hedhur edhe vezë.

Në reagimin e tij, Rama u është drejtuar kritikëve që, sipas tij, përdorin flamurin kombëtar për qëllime politike, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij flamuri shqiptar është ngritur “më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”.

“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”, shkruan Rama.

Rama ka folur edhe për misionin e tij politik, duke theksuar se synon ta çojë Shqipërinë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Atij që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Evropës së Bashkuar”, shprehet Rama.

Një pjesë të reagimit të tij kryeministri ia ka kushtuar luftës kundër korrupsionit dhe reformimit të sistemit institucional. Rama ka vlerësuar se Shqipëria ka sot një sistem institucional që shfaq aftësi për “vetëpastrim”, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme të qeverisjes së tij.

“Nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli, po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni”, shkruan Rama.

Kryeministri ka kundërshtuar gjithashtu akuzat e vazhdueshme për korrupsion, duke thënë se lufta kundër tij po zhvillohet përmes institucioneve të drejtësisë.

“Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!”, vijon Rama.

Sipas Ramës, Shqipëria e sotme dallon nga ajo e viteve të mëparshme dhe kjo, sipas tij, ka ndikuar edhe në vlerësimin që Bashkimi Evropian i bën vendit.

“Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë”, shkruan ai.

Në fund të reagimit, Rama ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe mediatikë, duke i akuzuar se e amplifikojnë vazhdimisht çështjen e korrupsionit.

Ai i ka cilësuar disa prej tyre si “pula histerike të katundit tonë”, ndërsa kritikët i ka akuzuar se veprojnë “për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”.