Partia Kristiandemokrate (CDU) e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili po përballet me vështirësi politike, ka mbetur forca më e madhe në zgjedhjet lokale në landin e Saksonisë së Poshtme, duke marrë 27,2% të votave, sipas rezultateve paraprake të publikuara sot.
Zgjedhjet përfshijnë qarqet, qytetet dhe njësitë vendore të këtij landi verior të Gjermanisë, ku ndodhen gjiganti automobilistik “Volkswagen” dhe prodhuesi i pjesëve të automjeteve “Continental”.
Edhe pse zgjedhjet lokale zakonisht nuk tërheqin shumë vëmendje, situata politike në Gjermani është e tensionuar pas fitores së thellë të së djathtës ekstreme, Alternativës për Gjermaninë (AfD), javën e kaluar në landin Saksonia-Anhalt.
Më 20 shtator priten gjithashtu zgjedhjet parlamentare në landet Berlin dhe Meklenburg-Pomerani Perëndimor.
CDU-ja humbi 4,5 pikë përqindjeje në votimin e djeshëm në Saksoninë e Poshtme, duke zbritur nga 31,7% që kishte marrë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Partnerja e koalicionit qeverisës federal, Partia Socialdemokrate (SPD), u rendit e dyta me 24,6%, nga 30% në vitin 2021.
AfD-ja doli e treta, me 15,9% të votave, një rritje e ndjeshme krahasuar me 4,6% që kishte marrë në nivel qarku në vitin 2021. Ky është rezultati më i mirë i kësaj partie në zgjedhjet lokale në Saksoninë e Poshtme.
Të Gjelbrit u renditën të katërtit me 14,1%, ndërsa partia Die Linke mori 6,0% dhe liberalët e FDP-së 3,7%, sipas portalit zgjedhor të landit.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 64,6%, një rritje e konsiderueshme nga 57% e votuesve me të drejtë vote që morën pjesë pesë vjet më parë.
Rreth 6,3 milionë qytetarë kishin të drejtë vote për kryetarët e bashkive, drejtuesit e qarqeve dhe këshillat vendorë, përfshirë edhe Asamblenë Rajonale të Hannoverit.
Rezultatet konsiderohen një tregues i rëndësishëm i opinionit publik përpara zgjedhjeve të ardhshme për parlamentin e landit të Saksonisë së Poshtme, vitin e ardhshëm.
Ato japin gjithashtu një pasqyrë të klimës politike në këtë land të madh të Gjermanisë perëndimore.
Për kancelarin Merz, këto rezultate përbëjnë një lehtësim të përkohshëm, pasi CDU-ja pësoi një goditje të fortë në Saksoni-Anhalt fundjavën e kaluar, ku rezultati i saj ra në rreth 17%.


