Dy gratë akuzohen se kanë mbledhur dhe përcjellë informacione për pjesëtarë aktivë të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA) te Shërbimi Informativ Shtetëror Shqiptar (SHISH).
Arrestimet janë kryer gjatë një operacioni të përbashkët të BIA-s, Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë dhe policive të Vranjës dhe Jagodinës, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Njëra prej të arrestuarave, 46 vjeçe dhe nga Shillova e Gjilanit, është ndaluar në Vranjë, ndërsa gruaja tjetër, 50 vjeçe, është arrestuar në Jagodinë, ku edhe banonte.
Sipas autoriteteve serbe, dy gratë dyshohen për veprën penale të spiunazhit. Pretendohet se ato i kanë përcjellë SHISH-it të dhëna mbi pjesëtarë aktivë të BIA-s dhe aktivitetet e tyre.
Tanjug raporton gjithashtu se informacionet dyshohet se u janë përcjellë edhe Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe njësisë së inteligjencës së Policisë së Kosovës.
Në kuadër të hetimeve, me urdhër të gjykatës është kontrolluar edhe banesa e 50-vjeçares në Jagodinë. Gjatë kontrollit, autoritetet serbe kanë sekuestruar disa sende dhe pajisje elektronike, të cilat dyshohet se mund të lidhen me veprimtarinë për të cilën ajo po hetohet.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa pretendimet për përfshirjen e dy grave në veprimtari spiunazhi janë bërë nga autoritetet serbe.


