BDI kërkon zgjerimin e hetimit pas arrestimit të Ymerit: Të zbulohet për kë ishin 17.500 eurot

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon që hetimi për rastin e ndihmësdrejtorit të Doganave, Xhever Ymeri, i arrestuar dje nën dyshimin për marrje ryshfeti, të mos përfundojë vetëm me përgjegjësinë e tij, por të hetohet nëse pas rastit ekziston një zinxhir më i gjerë politik apo institucional. Reagimi i BDI-së vjen pas arrestimit të Ymerit, për të cilin Prokuroria ka bërë të ditur se dyshohet se është kapur me 17.500 euro para të shënuara, të cilat, sipas organit të akuzës, ishin kërkuar për përdorimin e ndikimit në dy procedura para Drejtorisë së Doganave.

Pikërisht këtë element BDI-ja e vendos në qendër të reagimit, duke kërkuar të përcaktohet se në emër të kujt dhe për interes të kujt dyshohet se duhej të ushtrohej ndikimi. “Kapja në flagrancë e një ndihmësdrejtori të Doganave me 17.500 euro të shënuara nuk mund të mbyllet me arrestimin e një funksionari”, thuhet në reagimin e BDI-së. Nga kjo parti kërkojnë që hetimi të shkojë përtej personit të arrestuar dhe të shqyrtojë edhe rrethanat e emërimit të tij, hierarkinë politike dhe procedurat konkrete për të cilat, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë kërkuar paratë.

BDI përmend në këtë kontekst Mustafa Dautin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin, duke kërkuar që Prokuroria të hetojë çdo lidhje eventuale të tyre me emërimin e Ymerit, procedurat për të cilat dyshohet se është kërkuar ryshfeti dhe interesat eventuale që mund të qëndrojnë pas tyre. Në reagim nuk paraqiten prova konkrete për përfshirjen e këtyre tre personave, por kërkohet që kjo të jetë objekt i hetimit.

“Nëse këto para nuk kanë qenë vetëm për të, atëherë qytetarët duhet ta dinë: për kë i merrte? Kujt duhej t’ia dorëzonte? Kush qëndronte mbi të? Kush duhej të përfitonte nga ndërhyrja në këto procedura?”, pyet BDI-ja. Partia e Ali Ahmetit pretendon se rasti nuk mund të mbyllet me distancim politik nga funksionari i arrestuar dhe kërkon që të përcaktohet nëse ka persona të tjerë që mund të kenë urdhëruar, ndërmjetësuar apo përfituar nga veprimet për të cilat zhvillohet hetimi. “17.500 eurot janë vetëm maja e rastit. Tani duhet të zbulohet zinxhiri”, thuhet në reagim.

Në fund, BDI i bën thirrje Prokurorisë që hetimi “të mos ndalet te dora që mori paratë”, por të shtrihet te çdo person politik apo institucional për të cilin eventualisht do të sigurohen prova se ka urdhëruar, ndërmjetësuar ose përfituar. “17.500 euro u kapën në dorë. Tani duhet të zbulohet për kë ishin”, përfundon reagimi i BDI-së.