Sekretari i Thesarit të SHBA thirrje aleatëve të vendosin sanksione ndaj Iranit

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent u bëri thirrje të hënën aleatëve të Uashingtonit të forcojnë sanksionet kundër Iranit, ndërsa bisedimet e paqes midis dy palëve mbeten të bllokuara.

Me mbërritjen e tij në takimin e ministrave të Financave të G7 në Paris, Bessent deklaroi se SHBA-të po u kërkojnë vendeve të G7, si dhe aleatëve të tyre të tjerë, të zbatojnë plotësisht sanksionet kundër Teheranit.

“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve të G7-ës, aleatëve tanë dhe bashkësisë ndërkombëtare që të mbështesin sanksionet për të kufizuar financimin e paligjshëm që ushqen makinën iraniane të luftës dhe t’ia kthejnë këto para popullit iranian”, tha ai.

Ministrat e financave dhe bankierët qendrorë të G7 po marrin pjesë në takime dy-ditore në kryeqytetin francez, me tema kryesore që përfshijnë çekuilibrat makroekonomikë, qasjen në lëndë të para kritike, krimin financiar, sanksionet kundër Rusisë dhe ndikimin ekonomik të luftës në Lindjen e Mesme.

Më herët, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin se “koha po mbaron”, ndërsa bisedimet për t’i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme mbeten të bllokuara.

“Më mirë të veprojnë shpejt ose nuk do të mbetet asgjë prej tyre”, shkroi Trump në platformën Truth Social.