Autoritetet evropiane kanë shkatërruar një skemë të gjatë për mashtrime me kriptovakuta, në të cilën mbi njëqind njerëz humbën të paktën 100 milionë euro, njoftoi sot Agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e gjyqësorit (Eurodrejtësia).
Policia javën e kaluar ka kryer kontrolle në Spanjë, Itali, Rumani dhe Bullgari, ku janë arrestuar pesë të dyshuar.
Viktimave u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet e tyre në kriptovaluta përmes platformave onlajn të dizajnuara profesionalisht. Investimet e viktimave më pas transferoheshin në Lituani, ku paratë pastroheshin.
Kur viktimat u përpoqën të tërhiqnin investimet e tyre, atyre iu kërkua të paguanin tarifa shtesë, pas së cilës ueb faqja që shfrytëzohej për mashtrimin u zhduk. Investitorët më pas humbën pjesën më të madhe ose të gjitha paratë e tyre, theksohet në kumtesën e Eurodrejtësia.
Skema ka qenë në funksion që nga viti 2018 dhe ka përfshirë 23 vende. Viktimat janë nga disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën.
I pandehuri kryesor, udhëheqësi i supozuar i grupit të mashtrimit, dyshohet për mashtrim të madh dhe pastrim parash.


