Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten në Kuvend se Qeveria e Kosovës nuk mund t’i trajtojë ambasadorët e QUINT-it si ministra dhe ata të bëhen zëvendësit e tyre.
Gjatë seancës së Kuvendit, Kurti tha se bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë ekziston dhe se as ata nuk duhet që të trajtohen si ministra.
Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
Sipas Kurtit, Policia e Kosovës kurrë nuk është nxitur kundër serbëve, duke shtuar se ajo ka konsideratë shtesë ndaj tyre, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve.
“Këto nuk janë vendime e veprime politike, por janë shtetërore, që i parasheh Kushtetuta e ligji në shërbim të të cilit jemi të gjithë”, shtoi ai.


