
Rúben Amorim është zyrtarisht trajneri i ri i Milanit.
Klubi italian ka konfirmuar emërimin e teknikut portugez, i cili ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në krye të kuqezinjve deri në vitin 2029, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.
Sipas marrëveshjes, Amorim do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, ndërsa kontrata parashikon edhe bonuse të rëndësishme në rast të arritjes së objektivave sportivë.
Në njoftimin zyrtar, Milani vlerësoi karrierën e 41-vjeçarit, duke kujtuar sukseset e tij me Sportingun, ku fitoi dy tituj kampionë në Portugali, dy Kupa të Ligës dhe një Superkupë. Para se të merrte drejtimin e Milanit, Amorim ishte trajner i Manchester United.
Presidenti i grupit pronar të klubit, Gerry Cardinale, e cilësoi Amorimin si një nga trajnerët më inovativë të brezit të ri evropian, duke theksuar se filozofia e tij sulmuese përputhet me projektin e Milanit.
Nga ana e tij, Amorim u shpreh i emocionuar për aventurën e re, duke deklaruar se drejtimi i Milanit ka qenë gjithmonë një nga ambiciet e tij më të mëdha.
Trajneri portugez pritet të mbërrijë në Itali së bashku me stafin e tij të ngushtë, ndërsa synon të ndërtojë skuadrën sipas skemave të tij të preferuara 3-4-2-1 dhe 3-4-3.
Ndërkohë, drejtuesit e Milanit vazhdojnë punën për riorganizimin e strukturës sportive të klubit, me emrin e Markus Krösche që mbetet një nga kandidatët kryesorë për postin e drejtorit teknik.




