
Barazimi i papritur 1-1 ndaj Katarit në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 ka trazuar ambientin te Zvicra, ku qetësia duket se mungon plotësisht.
Në vend të një klime pozitive, në radhët e tifozëve dhe opinionit publik po shtohet shqetësimi, teksa mediat zvicerane flasin për pakënaqësi të mundshme brenda grupit.
Në fokus është vendosur kapiteni Granit Xhaka, i cili pas sfidës shprehu hapur zhgënjimin për mënyrën se si u paraqit skuadra.
“Ka shumë për të folur, por tani duhet të veprojmë”, deklaroi mesfushori shqiptar menjëherë pas mbylljes së ndeshjes.
Kritikat e Xhakës
Kapiteni vuri në dukje mungesën e disiplinës taktike, duke nënvizuar se disa futbollistë tentojnë t’i zgjidhin situatat në mënyrë individuale dhe dalin jashtë detyrave të tyre në fushë, çka sipas tij dëmton funksionimin kolektiv të ekipit.
Megjithëse ai nuk përmendi emra, fjalët e tij ndezën reagime të shumta. Zvicra kishte kaluar në avantazh 1-0 me golin e Breel Embolos, por në minutat shtesë Bassam Al-Khoukhi barazoi për Katarin pas një kundërsulmi të shpejtë.
Xhaka kishte shprehur shqetësime edhe më parë. Pas barazimit 1-1 në miqësoren kundër Australisë, ai kishte paralajmëruar se ekipi nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi.
“Kishte gjëra gjatë kësaj jave që nuk ishin të mira. Ndoshta na mashtron ndjesia se do ta kalojmë fazën e grupeve lehtësisht. Nëse luajmë kështu, do ta përfundojmë garën pas tre ndeshjesh”, kishte thënë ai.
Raportime për pakënaqësi në skuadër
Sipas gazetës zvicerane Blick, jo të gjithë brenda ekipit e shohin me sy pozitiv mënyrën se si Xhaka e drejton përfaqësuesen. Raportohet se disa lojtarë e konsiderojnë kapitenin tepër kritik si në stërvitje, ashtu edhe në dhomën e zhveshjes.
Mediumi zviceran, duke iu referuar burimeve pranë ekipit, shkruan se “shumë negativitet ndikon në moralin e ekipit” dhe se gjendja mund të bëhet “toksike” nëse nuk menaxhohet siç duhet.
Xhaka, që verën e kaluar u largua nga Bayer Leverkuseni për t’iu bashkuar Sunderlandit për rreth 20 milionë euro, mori menjëherë edhe shiritin e kapitenit te klubi anglez. Kontrata e tij me Sunderlandin zgjat deri në verën e vitit 2028.
Pavarësisht nisjes zhgënjyese, në Grupin B ende nuk është vendosur asgjë. Zvicra do të luajë më pas ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe Kanadasë, ndërsa përballja mes këtyre dy kombëtareve u mbyll me rezultatin 1-1.
Për helvetikët, triumfi në dy ndeshjet e mbetura tashmë duket pothuajse i domosdoshëm, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ekipi do të arrijë t’i lërë pas tensionet e raportuara dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.



