
Në Kongresin e parë të partisë, e cila tashmë do të veprojë me emrin e ri Lidhja Shqiptare, kryetari Ziadin Sela u dërgoi një mesazh të qartë aktivistëve dhe mbështetësve, duke theksuar se ky nuk është fundi i një etape politike, por fillimi i një rrugëtimi të ri.
Ai njoftoi gjithashtu për zgjerimin e strukturave organizative të partisë përmes krijimit të nëndegëve të reja, me synimin për të forcuar praninë dhe komunikimin me qytetarët në çdo vendbanim.
Në fjalimin e tij, Sela theksoi se Lidhja Shqiptare nuk do të qëndrojë duarkryq përballë, siç tha ai, tendencave për cenimin e të drejtave të shqiptarëve. Sipas tij, partia do të jetë aktive dhe e zëshme në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe qytetare, duke iu përgjigjur çdo sfide politike me angazhim dhe veprim konkret.
Kreu i Lidhjes Shqiptare ritheksoi edhe qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, duke folur për proceset që prekin shqiptarët, si dhe për çështjen e pjesëmarrjes në Qeveri, temë e cila vazhdon të mbetet në fokus të debatit politik.
Kongresi shënoi zyrtarisht fillimin e kapitullit të ri politik të partisë nën emrin Lidhja Shqiptare, me drejtuesit që e cilësuan këtë transformim si një hap drejt riorganizimit dhe forcimit të veprimit politik në periudhën që vjen.



