LajmeMaqedoniTopLajm

Zgjidhja përmes Planit 5+1

Samiti i BE-Ballkani Perëndimorë në Bërdo të Sllovenisë nuk solli shumë optimizëm as për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, për shkak së cilës janë bllokuar integrimet evropiane të vendit, as për planin e përgjithshëm për bashkëngjitje të shpejtë të vendeve ballkanike në rrugën evropiane.

Një rezultat i samitit, për problemin mes Shkupit e Sofjes, mund të konsiderohet si një dush i ftohtë duke pasur parasysh deklaratat e fundit të kryeministrit Zoran Zaev. Ai tha javën e kaluar se “çështjet e identitetit janë të pamundura për t’u negociuar dhe se ata janë të lumtur për sinjalet e mirëkuptimit që po vijnë nga Bullgaria”. Por tani, një mesazh krejt tjetër ka mbërritur nga Presidenti bullgar Rumen Radev. Pas dy takimeve të Zaevit në Slloveni me të, një herë me politikanë të Bashkimit Evropian dhe një herë të shoqëruar nga udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, Emanuel Makron dhe Angela Merkel, Radev kërkoi heqjen dorë nga “maqedonizmi”.

ZAEVI: NUK I KAM PARË KURRË MERKEL DHE MAKRON KAQ TË “PËRKUSHTUAR”

Radev jo vetëm që mbeti në të njëjtat pozicione me të cilat ish-qeveria bullgare e udhëhequr nga Bojko Borisov bllokoi Shkupin “për të njohur të vërtetën historike”, ai e përsëriti të njëjtën duke thënë se përderisa Shkupi nuk e pranon të vërtetat historike në raport me Bullgarinë, ashtu siç bëri me Greqinë, Sofja nuk do të lëvizë nga qëndrimi i fundit. “Presim çrrënjosje të gjuhës së urrejtjes, deluzionin dhe interpretimin e Bullgarisë në librat shkollorë, monumente, muze dhe politikën publike. Atëherë njerëzit tanë do të jenë gati të thonë ‘Po’. Duam dokumente detyruese të qarta ligjërisht. Bullgarët maqedonas të figurojnë në Regjistrim e popullsisë. Ashtu siç është pranuar e vërteta historike në raportet me Greqinë, duam të pranohet edhe e vërteta historike në raportet me Bullgarinë. Ndërprerja e maqedonizimit dhe urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe sjellja e vendimeve të qarta”, deklaroi Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Pas vlerësimit fillestar të dërguar nga Sllovenia për kryeministrin Zaev se “hapat dhe bllokimet e ndërmarra nga Radev në emër të Bullgarisë janë një fyerje për qytetarët maqedonas”, pasi u kthye në Shkup, Zaev e riformuloi atë në shpresë se kontesti mund të zgjidhet deri në dhjetor kur është samiti i ardhshëm i BE -së. Ai tha se nuk i kishte parë kurrë Makron dhe Merkel kaq të “përkushtuar” sa në takimin që zhvilluan në Slloveni. “Nuk i kam parë kështu Makron dhe Merkel të jenë të saktë dhe të qartë në bisedën me mua dhe Presidentin Radev në lidhje me hapin tjetër në këtë drejtim. Kjo punë vjen nga miqtë që duan të ndihmojnë, është një çështje bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ne jemi vërtet miq të ngushtë, shpesh them vëllezër, njerëzit e arsyeshëm në shekullin 21 ulen dhe gjejnë zgjidhje”, tha Zaev.

ÇFARË ËSHTË PLANI 5+1?

Nga samiti në Slloveni erdhi edhe një informacioni që deri më tani ka qenë i panjohur për opinionin. I pari e kumtoi Radev, ndërsa pas tij edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Lajen, se po përgatitet plan i quajtur 5+1 të cilën Radev tha se duhet të jetë gati deri në nëntor, dhe se duhet ta nënshkruajnë Shkupi dhe Sofja, por nuk tha se nëse e nënshkruajnë ata, do të pajtohen që të vazhdohet rruga evropiane e vendit tonë. Për atë se çfarë është ky plan, në Shkup precizuan disa detale kryeministri Zoran Zaev dhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani. “Më lejoni të sqarojë cilat janë ato pesë, gjegjësisht gjashtë pika – këto janë çështjet e emrit të shkurtë, çështja e gjuhës së urrejtjes, rehabilitimit të viktimave të komunizmit, të çështjes së punës së komisionit historik, të përzierjes në punët e brendshme të Bullgarisë, ku lidhet edhe kjo çështje e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë”, tha Osmani. Ai shtoi se kanë kontakte të vazhdueshme me ministrinë e jashtme bullgare në nivel të grupeve punuese. Osmani vërteton se çështja e gjuhës maqedonase për të cilën Sofja vlerëson se është vetëm normë e gjuhës bullgare dhe pozicioni i udhërrëfyesit në BE, procesi për vendin nuk janë pjesë e bisedimeve sepse vlerësohen si çështje të mbyllura me të ashtuquajturin propozim portugez, të cilën më pas e mori presidenca sllovene me BE-në.

Propozimi parashikon që gjuha maqedonase të emërohet në Bashkimin Evropian dhe Bullgaria të ketë një deklaratë unilaterale mbi pozicionin e tyre në lidhje me gjuhën. Lidhur me udhërrëfyesin e rënë dakord midis dy vendeve, ai do të ishte pjesë e procesit të Stabilizim Asociimit. Sipas Simonida Kacarskës nga Qendra për Politikat Evropiane, çdo dokument i rënë dakord me Bullgarinë duhet të jetë në përputhje me vijat e kuqe maqedonase që janë konfirmuar nga Parlamenti, dhe është e rëndësishme se ku do të pozicionohet në procesin aderues. “Mendojë se është shumë e rëndësishme që e njëjta të mos jetë në lidhje me kornizën negociuese, sepse do ti jepej legjitimitet që nuk i takon”, thotë ajo.

SHKUPI PËRSHËNDET DEKLARATËN E BE-së

Samiti BE-Ballkan Perëndimor përfundoi me një mesazh se e ardhmja e gjashtë vendeve në rajon, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, BeH, Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, është në union, por nuk dihet se kur do të ndodh. Kryeministri Zaev tha se ishte mirënjohës për “deklaratën e saktë” të BE -së, e cila ende nuk do të thotë asgjë si një “copë letër”. Osmani theksoi se diplomacia nuk është një garë 100 metra, por është një maratonë në të cilën shfaqen pengesa në rrugë. “Por kjo nuk do të thotë se do të dorëzohemi nga kjo rrugë, sado që të jetë e vështirë. Nuk mund ata të na bllokojnë, aq sa ne do të jemi këmbëngulës të arrimë deri në BE”, tha Osmani. Kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu zhgënjim me politikat e unionit ndaj vendeve të rajonit, duke thënë se ata nuk presin më asgjë nga BE. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha përsëri se ai donte të besonte se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron vërtet në Bashkimin Evropian. Deklarata e samitit parashikon, ndër të tjera, që BE do të investojë 30 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor në shtatë vitet e ardhshme dhe se samiti tjetër i tillë do të mbahet vitin e ardhshëm. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close