LajmeRajon

Zemaj kritikon Kurtin për rastin e Deçanit: Kryeministri ishte më i interesuar të ligjëroj për Aristotelin dhe Platonin se për qytetarët

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se situata në komunën e Deçanit vazhdon të jetë e rëndë, ndërkaq tha se gjendja e tyre është përkeqësuar pas neglizhencës së Qeverisë së vendit.

Zemaj tha gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës se, “Situata vazhdon të jetë e rëndë, por më të rëndë e ka bërë edhe mos-përgjegjësia e kësaj Qeverie ndaj kësaj situate, apo ta quaj drejtpërdrejtë dyfytyrësia në qasjen që kanë ndaj qytetarit në raport me gjendjen shëndetësore”, u shpreh Zemaj.

“Nga fundjava e deri më sot numër i madh i qytetarëve janë paraqitur me simptoma të njëjta të infektimit. Në momentin kur Qeveria u zgjua nga reagimi qytetar, mbi të gjitha nga reagimi i interesit se edhe dikund ekziston një komunë në Republikën e Kosovës, kryeministri ishte më shumë i interesuar të ligjëroj për Aristotelin dhe Platonin dhe një ministër burokrat gjeti kohë ta vizitojë këtë komunë, çka u mungon dhe si trajtohet një situatë emergjente”, u shpreh Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë Zemaj, tha se “Kjo papërgjegjësi tregon paaftësi për të udhëhequr”.

“Dhashtë Zoti që të mos përsëriten gjëra të tilla, sepse me këta njerëz të dashuruar në vetvete, e jo në qytetarin dhe jo përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarit dhe të dashuruar në votën popullore, kjo neglizhencë ka vetëm një emërtim, paaftësi për udhëheqje me vendin”, u shpreh Zemaj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Zemaj gjatë seancës ka thënë se Qeveria duhet të merret më shumë me problemet e qytetarëve.

“Ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që t’i kthehet realitetit, jo temave boshe dhe populizmit, por të përballet me problemet e qytetarëve”, tha Zemaj.

Zemaj shtoi se, “Ajo çka është parë e dëshmuar, në kohën kur edhe është ardhja e madhe e mërgimtareve, duhet të dilet nga zyrat e nga lëvozhga e burokracisë, duhet të dilet te qytetarët”, tha ai. /Telegrafi/

Related Articles

Back to top button
Close
Close