LajmeRajon

Zbardhet plani franko-gjerman

Pak orë pas përfundimit të takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian publikoi të plotë tekstin e planit franko-gjerman apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi europian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Drafti i cili ka marrë tashmë pëlqimin në parim mes palëve ka 11 nene dhe ndonëse në të nuk flitet në mënyrë specifike për njohje reciproke të të dyja vendeve, palëve në nenin 2 u propozohet që të njohin Pavarësinë dhe integritetin territorial të njëra tjetrës.

“Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Një nen tjetër duket se favorizon palën kosovare është edhe përcaktimi që bën neni 4 ku theksohet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Një tjetër nen i rëndësishëm është ai me numrin 7, ku kërkohet të sanksionohet detyrimi për të arritur një marrëveshje mes palëve që të garantojë të drejtën e vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë.

“Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike”.

Në këtë kuadër vlen edhe përcaktimi i nenit 10, ku të dyja shtetet detyrohen të zbatojnë

të gjitha marrëveshjet e dialogut të arritura më parë, përfshi këtu edhe atë për asociacionin, ndonëse një gjë e tillë nuk përmendet në mënyrë specifike në draft.

Gjithashtu në bazë të këtij propozimi Kosova do të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ndërsa palët do të shkëmbejnë misione të përhershme që do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Related Articles

Back to top button
Close
Close