Xabi Alonso ka thyer një rekord të vjetër mbrëmjen e së enjtes, teksa ekipi i tij Bayer Leverkusen ‘preu’ biletën e kualifikimit për në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
Leverkuseni barazoi me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj West Hamit në Londër, për të siguruar një vend në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Të besuarit e Alonsos tani do të kenë punë me Romën në këtë fazë, teksa kanë mbyllur përfundimisht çështjen e fituesit të Bundesligës.
Ata i dhanë fund dominimit të Bayernit në elitën e futbollit gjerman vikendin e kaluar, duke siguruar titullin teksa kanë mbetur edhe pesë ndeshje para përfundimit të kampionatit.
Leverkuseni ende nuk e ka shijuar humbjen në ndonjë garë këtë sezon dhe mund të fitojë potencialisht tripletën duke mos humbur asnjë ndeshje, pasi ata janë kualifikuar gjithashtu edhe në finale të Kupës së Gjermanisë, aty ku do të takohen me FC Kaiserlautern.