
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se kërkesa e partive opozitare për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ka për synim të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë.
Gjatë seancës plenare në Kuvend, në kuadër të diskutimit lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, Kusari-Lila vlerësoi se kjo iniciativë e deputetëve opozitarë është e ngutshme, me ç’rast drejtuar deputetëve të pranishëm në sallë, i pyeti se “a nuk kanë besim tek Prokuroria dhe Policia e vendit”.
Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka iniciuar themelimin e Komisionit Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva.
Kjo nismë erdhi pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe të një biznesmeni lidhur me furnizimin me grurë dhe vaj ushqimor për rezervat shtetërore të vitit 2022.



