
Gjatë një takimi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se “e vlerëson lart” faktin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte ardhur në Moskë, “edhe pse kishte përpjekje për ta bindur të mos merrte pjesë”.
Dy presidentët folën për rritjen e shkëmbimit tregtar, ndërsa Vuçiq theksoi se furnizimi me gaz është “çështje jetike”, raporton media serbe, N1.
Vuçiq sot falënderoi Putinin për mbështetjen e madhe, duke shtuar se Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunim të mirë në fusha të ndryshme.
“Ju e dini që kemi një çështje me rëndësi jetike – ajo është furnizimi me gaz. Marrëveshja jonë afatgjatë ka kushte shumë të mira dhe ju falënderoj për këtë. Shpresojmë që të mund t’i mbajmë të njëjtat kushte, nëse është e mundur, apo ndoshta edhe t’i përmirësojmë, nëse guxoj të them,” u shpreh Vuçiq gjatë takimit me presidentin rus në Kremlin.
Media serbe raporton se Putin deklaroi se treguesit e shkëmbimit tregtar midis Serbisë dhe Rusisë nuk janë optimalë dhe shtoi se, përveç kësaj, ka edhe një rënie, ndaj është e nevojshme të mendohet se si të kapërcehet kjo tendencë dhe të kthehet në drejtim të kundërt.
Po ashtu, ai theksoi se bashkëpunimi në fushën e energjisë është më i rëndësishmi.
Putin gjithashtu nënvizoi se Rusia e vlerëson lart pjesëmarrjen e presidentit serb në paradë në Moskë, edhe pse thekson se kishte përpjekje për ta dekurajuar pjesëmarrjen dhe përkundër të gjitha vështirësive logjistike.



