Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke shënuar një hap të rëndësishëm në drejtim të konsolidimit institucional dhe zhvillimit të mëtejshëm të universitetit në gjuhën shqipe.
Sipas reagimit të VLEN-it, deputetët e kësaj shumice parlamentare votuan pro ndryshimeve statutore, ndërsa deputetët e BDI-së nuk e mbështetën vendimin.
Me ndryshimet e miratuara zyrtarizohen Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave Humane, mundësohet lëshimi i diplomave dhe shtojcave të diplomës në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, si dhe harmonizohet funksionimi i universitetit me legjislacionin në fuqi.
Nga VLEN vlerësojnë se mosmbështetja e këtij vendimi nga ana e BDI-së është e papranueshme, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces që forcon pozitën institucionale të Universitetit “Nënë Tereza” dhe krijon kushte më të mira për studentët.
“Kur erdhi momenti i votimit për Universitetin ‘Nënë Tereza’, VLEN dhe shumica parlamentare votuan për, ndërsa BDI nuk e mbështeti vendimin. Dallimi është i qartë: ne punojmë për forcimin e institucioneve shqiptare, ndërsa të tjerët mjaftohen me retorikë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga kjo parti u bëjnë thirrje qytetarëve dhe studentëve shqiptarë të vlerësojnë qëndrimet e partive politike për çështje që lidhen drejtpërdrejt me arsimin e lartë dhe avancimin e institucioneve në gjuhën shqipe.



