
Partneri i koalicionit qeverisës, VLEN, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili sot foli për padrejtësitë në procesin e regjistrimit dhe përjashtimin e shqiptarëve nga përfaqësimi i drejtë.
Në reagimin e tyre, VLEN thekson se vetë BDI ka qenë përgjegjëse për hartimin, votimin dhe zbatimin e ligjit për regjistrim.
Sipas opozitës shqiptare në qeveri, “BDI futi anomalitë më të mëdha në regjistrim me rubrika që nuk ekzistojnë askund në botë. Në vend të një regjistrimi të qartë dhe të drejtë, ata mundësuan që bashkëqytetarët tanë të trajtohen si ‘të huaj’ në shtetin e tyre.
BDI me vetëdije e sakatoi statistiken dhe pikërisht për shkak të kompromiseve të tyre, shqiptarët sot, në vend se të figurojnë 29,5%, paraqiten si 24,3%. Përgjegjësia është e qartë, sepse askush tjetër, përveç BDI-së, nuk ka faj për këtë gjendje.”
VLEN rikujton se paralajmërimet e dhëna me kohë nga ekspertët dhe organizatat qytetare u injoruan, vetëm që të plotësoheshin interesat personale dhe partiake të udhëheqjes së Ali Ahmetit.
“Prandaj, VLEN pyet: A e kupton Arbër Ademi vetëm tani çfarë dëmi u shkaktuan shqiptarëve? A do ta pranojnë më në fund Bujar Osmani, Ali Ahmeti dhe Arbër Ademi se mashtruan diasporën dhe shqiptarët jorezidentë? A do të marrë përgjegjësi Ali Ahmeti dhe BDI për këtë mashtrim historik?”, theksohet në reagim.
Në fund, VLEN nënvizon se do të vazhdojë të mbrojë të vërtetën dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, duke shtuar se “ajo që e shkatërroi BDI, VLEN do ta ndreqë”.



