
Këtë javë, një delegacion i Departamentit amerikan të Shtetit, i kryesuar nga Këshilltari i Lartë, Derek Chollet, ‘zbarkoi’ në Kosovë dhe Serbi.
Në përpjekje për të kthyer në binarë çështjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe rëndësinë e përmbushjes së obligimeve në këtë proces, Chollet zhvilloi takime me të dy liderët – me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Chollet, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ndau disa deklarata të forta lidhur me Dialogun, nevojën për themelimin e Asociacionit si dhe për të ardhmen e Kosovës në strukturat euroatlantike.
Chollet tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në moment kritik.I njëjti kërkoi angazhim të plotë të të dy palëve në dialog.
“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, deklaroi Chollet në një takim me gazetarë.
Ai tha se duhet thyer “stagnimi diplomatik” që ka përfshirë procesin, duke shtuar se ShBA është e përkushtuar ta investojë energjinë e saj diplomatike në rrugën e Kosovës drejt të ardhmes euroatlantike.
Këshilltari amerikan ia kujtoi kryeministrit Kurti se puna e themelimit të Asociacionit është “urgjencë e madhe”.
Kësaj kërkese ia bashkangjiti deklaratën se në veri ka vakum sigurie.
Ai deklaroi se ShBA nuk përkrah një të tillë si Republika Serbe, por asociacion që përkon me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne mendojmë se kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Edhe ngjarjet e fundit e kanë nënvizuar rëndësinë e themelimit të Asociacionit”, tha Chollet në një takim me gazetarë në Kosovë.
Këtë Chollet e ritheksoi edhe në disa intervista me media ndërkombëtare.
Mesazhe të forta këshilltari amerikan la edhe gjatë vizitës së tij në Beograd.
Në një diskutim me gazetarë në Beograd, Chollet u pyet për marrëdhëniet SHBA-Serbi, për të cilat ai tha se janë “të forta dhe strategjike”, por që mund të pengohen, nëse nuk zgjidhen çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai paralajmëroi serbët, nëse ndodhën ndonjë problem në Kosovë, kjo do ta pengojë bashkëpunimin Shba-Serbi.
“Frikësohem se përderisa çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur, në veçanti nëse situata do të sillte në ndonjë krizë, siç po frikësoheshim që po afrohej disa javë më parë, kjo do të pengonte një bashkëpunim më të thellë mes nesh. Nuk duam ta shohim këtë”, tha ai.
Zyrtari i lartë amerikan tha se duhet angazhim për dialog, të bazuar në propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, i njohur ndryshe edhe si propozimi evropian.
Njëherit, ai ia bëri me dije Serbisë se cikli i krizave në Kosovë duhet ndalur, në mënyrë që edhe ShBA të mund të angazhohet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes të dy palëve.
“Duam të dalim nga cikli i krizave në të cilën kemi qenë shumë gjatë. Duam të angazhohemi në dialog dhe mbështesim dialogun (mes Kosovës dhe Serbisë)”, tha Chollet.
Kujtojmë se gjatë vizitës së tij në rajon, Këshilltari i lartë i DASh, ka qenë i shoqëruar nga emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, Spencer Boyer. /Reporteri.net/.



