
Socialdemokratët vazhdojnë përpjekjet për përfshirjen e ASh-së në qeveri. Megjithatë, kryeministri ka pezulluar takimet me kryetarin e ASh-së, Arben Taravari dhe të Alternativës Afrim Gashi, për të biseduar rreth shumicës së re, por do të bisedojë me zyrtarë të lartë amerikan.
“Mund t’u them se grupi i punës, të cilat i formuam njëzëri në komitetin ekzekutiv të LSDM-së, punon në përgatitjen e mundësisë për hyrje të një partneri të ri në qeveri. Ndërkohë unë në orët e pasdites kam caktuar bisedë me telefon me përfaqësues të lartë të ministrisë së jashtme të ShBA-ve.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Micevski: Pushteti s’ka shumicë prej 61 deputetëve
Nga VMRO – DPMNE thonë se pushteti nuk ka as 61 deputetë dhe po bllokon vetveten, ndërkohë që hodhën poshtë pretendimet për bashkëngjitje eventuale të deputetëve të VMRO-së kah shumica.
“Në këtë vendim ligjor janë nënshkruar 44 deputetë të VMRO -së dhe koalicionit, andaj kjo mbështetje nga i gjithë grupi parlamentar i jep përgjigje të mjaftueshme të gjitha kalkulimeve dhe të gjitha thumbimeve që bëhen në këtë temë.”, – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Aktualisht pushteti funksionon me shumicë prej 64 deputetëve, por të pamjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, si parakusht për vijimin e negociatave me BE-në.



