LajmeMaqedoniTopLajm

Vendi s’mund të ngre kokën nga korrupsioni

Korrupsioni vazhdon të jetë një ndër problematikat më të mëdha për vendin. Në raportin e fundit të Transparency International nga gjithsej 180 shtete, Maqedonia e Veriut u gjet në vendin e 85, në këtë vend shoqërohemi nga India dhe Tunizia. Përkundër se vendi ka shënuar rritje për 2 vende nga viti i kaluar, vazhdojmë të ngelemi ndër të fundit në Ballkan.

Skandalet në gjyqësor si dhe ato korruptive të vitit 2022 janë shkaktarët që mbajnë vendin në listën e shteteve më të korruptuara në botë. Në raport thuhet se vendi edhe pse hap raste të reja për korrupsionin, ata nuk procedohen për shkak të gjyqësorit jo të duhur, që përbëhet nga persona të përzgjedhur në mënyrë joadekuate.
Shqetësues, e cilëson këtë rezultat Sllagjana Taseva nga kjo organizatë ndërkombëtare. Ajo përmendi disa nga skandalet më të mëdha që kanë çuar vendin deri në këtë rezultat.

“Shtetin tonë gjatë vitit 2022 e kanë shënuar skandale të mëdha korruptive, sidomos gjyqësori dhe sundimi i së drejtës u përballë me raste skandaloze, mes të cilave edhe informacionet se kandidatë kanë kaluar provimin e jurisprudencës pa i plotësuar kushtet ligjore për këtë, ende më keq është se këto raste kanë ngelur pa epilog”, tha Sllagjana Taseva, Transparency International.

Në listën e skandaleve të gjyqësorit Taseva shtoi edhe përzgjedhjen e shefit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazin, dorëheqjen e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Pavllina Cërvenkovska, lëshimin e pasaportave në mënyrë të kundërligjshme personave të përfshirë në afera kriminale si dhe faktin që pjesa më e madhe e lëndëve të iniciuara nga ish-prokuroria speciale nuk kanë epilog gjyqësor.
Sipas saj për këtë rezultat fajtorë janë të gjithë, duke filluar nga gjyqësori dhe prokuroria, vullneti politik dhe fakti që është realizuar vetëm 30% e strategjisë për luftën kundër korrupsionit.

Reaguan edhe nga VMRO DPMNE-ja.

“Me Kovaçevskin dhe Ahmetin në vend të Bashkimit Evropian, Maqedonia shkon në shoqërim me Surinamin, Indinë dhe Tunizinë. Kjo sepse krimi dhe korrupsioni janë shndërruar në simbol të kryeministri me biznese në energjetikë dhe kompanive të cilat po i shtohen përderisa populli po varfërohet. Kjo sepse përderisa popullin e kap uria, Ahmeti në Zajaz jeton si sulltan nga Brunei”, u shpreh Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Rikujtojmë që në vitin 2022 ndërkombëtarët disa herë kanë alarmuar për nivelin e korrupsionit në vend, madje një ekip nga ShBA-ja zbarkoi në Maqedoninë e Veriut për të hetuar korrupsionin. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të ranguar më mirë se ne janë Mali i Zi dhe Kosova ndërkaq më poshtë se ne janë Shqipëria, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. /Alsat.mk

Related Articles

Back to top button
Close
Close