
Në Universitetin e Tetovës është përuruar pajisja laboratorike për analiza të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Bëhet fjalë për një laborator i cili kap vlerën rreth 200 mijë euro, ndërsa është një investim i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave përmes projektit për zhvillim rural. Me këtë rast, rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, falënderoi ministrinë për këtë investim, i cili do të ketë rëndësi për zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve të universitetit, sidomos për Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, por do të jetë edhe në shërbim të fermerëve për kontroll të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nënvizoi rëndësinë që ka kjo pajisje për detektimin e mbetjeve të pesticideve në ushqim, si dhe trajnimin e stafit profesional. Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, tha se përmes këtij projekti krijohen kushte konkrete për mbështetje profesionale të fermerëve, rritje të konkurrueshmërisë së industrisë ushqimore dhe forcim të kapaciteteve institucionale për kontroll dhe siguri ushqimore.
“Ky investim, në vlerë prej 12 milionë denarë, realizohet në kuadër të Programit për zhvillim rural 2024, përmes Masës 1 ‘Mbështetje teknike në bujqësi dhe zhvillim rural’, dhe mbulon 100 për qind të kostove për modernizimin e infrastrukturës laboratorike. Projekti përfshin furnizimin dhe funksionalizimin e pajisjeve moderne për detektimin e mbetjeve të pesticideve në ushqim, si dhe trajnimin e stafit profesional. Ky nuk është vetëm një investim në pajisje, por në sigurinë e konsumatorit, cilësinë e prodhimit vendor dhe afrimin me standardet evropiane, duke lidhur drejtpërdrejt shkencën me praktikën. Ministria e Bujqësisë mbetet e përkushtuar për të vazhduar me investime strategjike që kontribuojnë në zhvillimin rural dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, deklaroi zëvendësministri i Bujqësisë Albrim Hoxha.
Gjatë qëndrimit në Tetovë, Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, është pyetur edhe për dëmshpërblimin e bujqve të Pollogut, të cilët pësuan dëme të mëdha gjatë vitit 2024. Ai tha se qeveria aktuale ka marrë vendim që të gjitha dëmet t`i shpërblejë me 5 për qind, duke u arsyetuar se ka një numër të madh të dëmshpërblimeve që nuk janë paguar nga qeveria e kaluar. “Ne kemi trashëguar nga qeveria e kaluar shumë elaborate të dëmeve por që nuk janë paguar. Pasi që bëhet fjalë për një kosto të madhe, atëherë është marrë vendim në qeveri që bujqve t`ju paguhen 5 për qind nga dëmi i përgjithshëm”, deklaroi Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
Ndërkohë, i pyetur rreth interpelancës nga opozita e cila kërkon dorëheqjen e tij, Tripunovski deklaroi se nuk ka frikë nga interpelanca dhe në mungesë të kauzës së vërtetë, opozita merret me shpifje të kota. Sipas tij, gjatë interpelancës do të vërtetohet se pafajësia e tij.



