
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përshëndetur zyrtarisht marrjen e detyrës nga Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij i ri qeveritar. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, delegacioni i BE-së shprehu urimet dhe theksoi rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për reformat që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Union.
“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027,” thuhet në reagimin zyrtar.
BE nënvizon gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë në Shqipëri, duke e cilësuar procesin e integrimit si një përpjekje kolektive në shërbim të qytetarëve shqiptarë.



