KulturëLajme

Urdhëri i Enverit: Eshtë me vënd dënimi me vdekje i Leonardo Tomasso dhe ing. Niazi Pilku, si anti-patriotë, prandaj urdhëroj të ekzekutohen…

Nga Qemal Lame

Në Shqipëri, menjëherë pas Luftës, Enver Hoxha forcoi pushtetin e tij autoritar dhe vazhdoi terrorin për të treguar e dëshmuar forcën e frikës dhe rrezikun ndaj jetës së cilitdo që do të ngrinte zërin e të kundërshtonte apo të kryente ndonjë veprim kundër vullnetit të tij, të maskuar me pushtetin e popullit.

Më 09.01.1945, bëhet gjykimi për disa orë dhe ekzekutimin i parë i menjëhershëm me vdekje, për arsye politike me një vendim të Gjykatës Ushtarake, kundër një inxhinieri shqiptar dhe një italiani.

Personat e dënuar dhe të pushkatuar ishin:

– Ing. Niazi Mehmet Pilku, lindur më 1900, në Dibër.

– Leonardo Tomasso, lindur më 1900, në Palermo, administrator i firmës “Ital-strada”.

Dokumentacioni i gjyqit, nuk krijon bindje për rrezikshmërinë dhe pushkatimin e tyre. Nga një shkresë e datës 25.11.1944, kuptohet se ing. Pilku, ishte drejtor i punimeve rehabilituese në rrugët e Shqipërisë, të cilat kryheshin nga firmat italiane. Ai drejtonte punimet në rrugët Durrës-Kavajë-Rrogozhinë dhe Vorë-Milot, të cilat kryheshin nga shoqëria “Ital-strada” dhe “Marinucci”. Pilku dhe Tomasso, u kallëzuan nga ministri i Punëve Botore, Spiro Koleka.

Në thelb të dënimit, ishte mosraportimi i saktë mbi firmën italiane “Ital-strada”, për mjetet dhe për punëtorët, gjë që edhe sikur të ishte kështu, nuk përbënte arsye për dënim me vdekje! Të dy u akuzuan si “sabotatorë dhe antipatriotë”. Proces-verbali i marrjes në pyetje, më 1.1.1945, i sipërmarrësit është i parregullt. Italiani i ardhur në Shqipëri në vitin 1939, nuk e pranoi akuzën. Edhe në deklarimin e bërë para gjykatës nga ing. Pilkut, të datës 31.12.1944, nuk ka asnjë pranim akuze.

Gjykata përbëhej nga ushtarakë pa arsimimin e nevojshëm dhe pa aftësi profesionale juridike: kolonel Hysni Kapo (kryetar), nënkolonel Beqir Balluku (nënkryetar), partizan Sotir Spiro (anëtar) dhe sekretari, major Haki Toska. Prokuror ishte major Bako Dervishi, por emri i tij nuk shkruhej në proces-verbalin kryesor.

Me vendimin nr.1, datë 8.1.1945, Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë, vendosi dënimin me vdekje, pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore penale dhe proçeduriale. Proces-verbali i gjykimit është një dëshmi e paligjshmërisë së gjyqeve partizane, të zhvilluara në disa minuta ose të shumtën në gjysëm apo një orë, pa asnjë rregull të një procedure ligjore penale, është shkruar me formulime të pa kuptueshme, pa rregulla të drejtëshkrmit. Gjykimi është bërë pothuajse si në situatat e jashtëzakonshme të Luftës në front, kur komandanti gjykon dhe vendos në çast dënimin me vdekje të dezertorit, ose të atij që nuk zbaton urdhërin për luftim.

Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që ishte në varësi të qeverisë, me vendimin nr.1, datë 8.1.1945. Edhe ky vendim është marrë disa orë para gjykimit, për të krijuar artificialisht një bazë ligjore dhe justifikuar arbitraritetin e gjykimit dhe dënimeve me vdekje, në kushtet e paqes ku është e domosdoshme që shteti dhe drejtësia, të veprojnë në bazë të Kushtetutës e të ligjeve.

Gjykata përbëhej prej Gaqo Floqit, Frederik Nosit dhe Veledin Zenelit. Prokuror ishte Myftar Tare. Në këtë vendim, u shtua si bazë ligjore neni nr.29 i Rregullores mbi Funksionimin e Gjykatave Ushtarake, e datës 20.12.1944. Ndërsa në komunikatën e prokurorit, citohet ligji nr.21, datë 14.12.1944, por që faktikisht nuk ndodhet në asnjë dispozitiv vendimi.

Enver Hoxha miratoi dhe urdhëroi zbatimin e menjëhershëm të vendimit me dënimin me vdekje, me pushkatim. Të dy të dënuarit u ekzekutuan në Tiranë.(Burimi: Arkivi i Shtetit Shqiptar)

Me këtë gjykim, me këtë vendim, me këtë miratim të lënies në fuqi të vendimit dhe me këto dy viktima, fillon dhuna politike e pushtetit të ri popullor, të njohur si viti i përgjakshëm 1945, me pushkatimet e para në bregun e lumit të kryeqytetit.

Gjykimi dhe dënimi si dhe ekzekutimi i menjëhershëm kanë qenë haptazi të paligjshme për arsye se nuk kanë patur bazë kushtetuese dhe ligjore, si dhe nuk janë respektuar as normat elementare të mbrojtjes së të drejtave e lirive nga drejtuesit politikë e të drejtësisë, që pretendonin për krijimin e një shteti të ri në mbrojtje të popullit.

Ky vendim vlerësohet i paligjshëm edhe sipas parimeve të përgjithshme të njohura ndërkombëtarisht të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai është referuar në një rregullore ushtarake të miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Gjykimi dhe dënimi me vdekje sipas rregullave të Luftës, procedurave të gjyqeve partizane dhe të paragjykuara nga Komandanti i Përgjithshëm, kanë vazhduar me papërgjegjshmëri dhe me llogjikën e eleminimit me çdo mjet të kundërshtarëve politikë edhe në ditët e para pas çlirimit, kur nuk ishte krijuar akoma shteti, nuk ishte miratuar Kushtetuta dhe ligjet kryesore, për institucionet shtetërore dhe të drejtësisë.

Nga institucionet e larta shtetërore të përfaqësimit të vullnetit të popullit, si dhe në literaturën juridike të periudhës së socializmit, është mbrojtur themelimi i shtetit të ri shqiptar, me vendimet e marra nga Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, në Mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, më 24 maj 1944, të propoganduar edhe si kongres, si dhe me krijimin e Qeverisë Provizore, në Berat. Këtyre instrumenteve ushtarake e politike, j’u është dhënë realisht fuqia kushtetuese e ligjore për të justifikuar ndërtimin dhe funksionimin e shtetit dhe të drejtësisë ushtarake, e më pas të asaj civile.

Mbështetur në parimet teorike dhe praktikën e shtetit të së drejtës, është me vend të theksojmë se strukturat ushtarake dhe ato politike të Luftës, nuk mund të barazohen me institucionet e një shteti që ndërtohet e funksionon sipas parimeve Kushtetuese. Nga analiza e marrëdhënieve politike e juridike të asaj kohe, dalin disa përfundime që kanë rëndësi për historinë e shtetit dhe së drejtës:

1.Shqipëria u deklarua e pavarura dhe sovrane, më 28 nëntor 1912. Shteti Shqiptar modern u themelua me vendimet e Qeverisë Provizore të Ismail Qemalit, Kongresin e Lushnjes, etj.

2.Ligjet e asaj kohe kishin fuqinë vepruese gjatë e pas Luftës.

3.Kushtetuta dhe ligjet mund të shfuqizoheshin apo të abrogoheshin nga strukturat e krijuara gjatë e pas Luftës, të cilat nuk kishin burimin dhe fuqinë e domosdoshme kushtetuese.

4.Mosnjohja e Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit Civil, e kodeve proçeduriale penale e civile, të miratuara nga Mbreti Zog, si dhe e gjithë ligjeve e marrëveshjeve të asaj kohe, kërkohej të bëheshin me ligje e vendime të miratuara nga institucione të përfaqësimit të vullnetit të popullit, Kuvendit e të Qeverisë, të dalë nga zgjedhje të lira dhe të pranuara edhe ndërkombëtarisht.

Zgjedhjet u zhvilluan, më 2 dhjetor 1945, dhe Kushtetuta u miratua në 11 janar 1946.

Me këtë analizë politike dhe juridike, mendoj se kuptohet më drejtë paligjshmëria dhe dhuna shtetërore e ligjëruar nga drejtësia, si dhe pushteti apsolut i Enver Hoxhës, që arriti në diktaturën e propoganduar e imponuar me sistemin politik të shtetit të ‘Diktaturës së Proletariatit’, në Kushtetutën e vitit 1976.

Related Articles

Back to top button
Close
Close