LajmeMaqedoni

Ujku Micko po ngashënjen delet shqiptare për qeverinë e re!

I uritur prej vitesh për llokmat e pushtetit, ujku Micko po ngashënjen këto ditë delet e shastisur shqiptare si pjesë e kopesë së tij në qeverinë e koalicionit të cilën tashmë e ka kaparosur.

Kësisoj, delet tona arrakate të modhisura nëpër brigjet dhe lëndinat e pafund të “drzhavës”, kanë rënë pre e lukunisë ujqërve të uritur, duke i marr ato me vete në vathën e qeverisë si pjesë e kopesë qeveritare që do të shërbej si shembulli më i mirë i bashkëjetesës dhe i bashkëpunimit miqësor mes ujqërve dhe deleve.

Delet tona të shastisura nuk do të kenë të drejtën e fjalës në vathën qeveritare me një udhëheqës siç eshtë ujku i pabesë Micko, veç blegërimave dhe të drejtën për t’u ushqyer me bar të njomë nga parcelat qeveritare.

Katër vite bashkëjetesë ka parashikuar ujku Micko me delet e urta të perëndisë, pasi i ka dhënë fjalën se nuk do t’i hajë ato sepse është vegjetarian.

Bashkëqeverisja e ujqërve me delet tona në vathën e madhe të “drzhavës” nuk premton shumë dhe se nuk ka asnjë shans se do ta përfundojnë mandatin deri në fund, për shkak të pabesisë së ujkut Micko, ku ai nuk do t’i akordoj deleve tona arrakate statusin e “kopesë së privilegjuar”, por përkundrazi, ato do të trajtohen si kope delesh të bindura që duhen mjelur për llogari të ujkut Micko.

Mbase me ardhjen në vathën e madhe të “drzhavës” si pjesë e kopesë delet tona kanë menduar se për katër vitet e ardhshme nuk duhet të shqetësohen për ushqim dhe vendstrehim, pasi atë përgjegjësi ia kanë lënë dhëmbëve e mprehta të ujkut Micko edhe pse ai thotë se jam vegjetarian.

Le të shpresojmë se delet tona do të rebelohen dhe nuk do pranojnë të qëndrojnë në vathën e madhe të “drzhavës” në kushte të pabarabarta partneriteti, si pengje poshtërimi vetëm për t’u mjelur nga çobanët e ujkut Micko!

Ndaj, në luftën për mbijetesë të garës elektorale “deleve tona të zgjuara” i urojmë shumë suksese dhe mbarësi me partnerin e ri ujkun Micko, në javët dhe muajt që do të vijnë!

Related Articles

Back to top button
Close
Close