LajmeMaqedoni

UJI NË TETOVË: U harxhuan miliona, por problemi mbeti i pazgjidhur

Kësisoj, edhe pse deri më tani janë harxhuar miliona euro për ndërtimin e ujësjellësit të Tetovës dhe stacionit të filtrit, probleme të shumta shfaqen kohë pas kohe me ujin e pijshëm

Urim HASIPI

Tetovë, 20 tetor – Me ndërtimin e ujësjellësit të Tetovës dhe stacionit të filtrit mbi fshatin Lisec, qytetarët e Tetovës përfundimisht menduan se problemi me ujin e pijshëm do të jetë një eksperiencë e hidhur nga e kaluara. Por, edhe pas disa vitesh kur zyrtarisht Tetova u bë me ujësjellës të ri dhe stacion modern të filtrit, probleme të ndryshme e përcjellin furnizimin me ujë të këtij qyteti. Në të kaluarën ishte mungesa e ujit në burime, dhe kjo reflektonte gjatë furnizimit me ujë, kurse shumë vite tetovarët përballeshin edhe me restrikcione të shumta gjatë ditës. Në këtë periudhë, problem paraqitet uji nga ujësjellësi në stacionin e filtrit për shkak se është i turbullt. Kjo ka bërë që shumë lagje të Tetovës javën e kaluar të kenë problem gjatë furnizimit me ujë. Nga Ndërmarrja publike komunale në Tetovë thonë se deri tek një situatë e këtillë ka ardhur si pasojë e reshjeve të shiut.

“Reshjet e shiut që përfshinë rajonin e Tetovës ditëve të fundit kanë bërë që të turbullohet uji në pjesën e lartë të Lumit Shkumbin, prej nga krahas burimeve në Malin Sharr, Tetova furnizohet me ujë. Niveli i lartë i turbullt i ujit me rërë dhe baltë, ka bërë që kaptazhi i stacionit të filtrit mbi fshatin Lisec të mbyllet në mënyrë automatike. Indeksi i ndotjes së ujit ka kaluar numrin dy dhe kjo ka bërë që ky ujë që arrin në stacionin e filtrit të ndërpritet derisa të pastrohet. Kjo në mënyrë automatike ka bërë që të ketë më pak ujë gjatë furnizimit të qytetit të Tetovës” thonë nga Ndërmarrja publike komunale në Tetovë.

Më tej nga kjo ndërmarrje e cila ka nën menaxhimin ujësjellësin e Tetovës pohojnë se reshjet e shiut kanë ndikuar që punët të mos realizohen në kohë për pastrimin e ujit. “Uji gradualisht ka filluar të pastrohet, por kemi hasur në shumë vështirësi për shkak të reshjeve të shiut dhe terrenit të vështirësuar. Pas pastrimit të ujit, stacioni i filtrit sërish do të vihet në funksion dhe qyteti do të ketë ujë normalisht. Këto probleme me ujin janë të zakonshme çdo vit në këtë periudhë, dhe nuk është hera e parë që kemi një situatë të këtillë, prandaj shpresojmë se shumë shpejt gjendja me cilësinë e ujit do të përmirësohet dhe qyteti do të ketë sasi të ujit si edhe gjatë periudhës së kaluar”, shprehen nga Ndërmarrja publike komunale në Komunën e Tetovës.

Momentalisht qyteti i Tetovës furnizohet me 240 litra ujë në sekondë, kurse për të tejkaluar këtë situatë të përkohshme në qytet, pas një kohe shumë të gjatë janë aktivizuar edhe tre puse që disa lagje mos kenë problem me ujin. Një situatë e këtillë u shfaq edhe gjatë muajit shtator, kurse gjatë muajit gusht brenda në qytetin e Tetovës, për shkak të defekteve në rrjetin shpërndarës të ujësjellësit, disa lagje nuk kishin ujë të mjaftueshëm për pije Kësisoj, edhe pse deri më tani janë harxhuar miliona euro për ndërtimin e ujësjellësit të Tetovës dhe stacionit të filtrit, probleme të shumta shfaqen kohë pas kohe me ujin e pijshëm. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close