
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë lidhur me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes, duke synuar organin më të lartë të zhvillimit të mbrojtjes turke, presidentin e tij dhe tre punonjës.
Lidhur me këtë ka reaguar me një njoftim për media Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë. Ambasada e Turqisë në Kosovë, ka postuar këtë njoftim të ministrisë së jashtme turke ku refuzohet ky vendim i SHBA-ve.
“Dënojmë dhe refuzojmë vendimin për vendosjen e sanksioneve të njëanshme kundër Turqisë, siç u njoftua sot nga SHBA-ja në kontekstin e blerjes të sistemit të mbrojtjes ajrore ‘S-400’ nga Turqia”.
Sipas MPJ-së turke, kushtet që e detyruan Turqinë të merrte sistemet “S-400” janë të njohura nga të gjithë. Ata thonë se vetë presidenti Trump në shumë raste ka pranuar se blerja e Turqisë ishte e justifikuar.
“Pretendimet e SHBA-së se sistemet ‘S-400’ do të rrezikojnë sistemet e NATO-s janë të pabaza. Turqia vazhdimisht ka propozuar adresimin e çështjes në një mënyrë objektive, realiste dhe politikisht të paanshme përmes një grupi të punës me pjesëmarrjen e NATO-s”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu në deklaratë theksohet se është i pakuptimtë refuzimi për zgjedhjen e kësaj çështjeje.
“Prandaj, rekursi i SHBA-së ndaj sanksioneve të njëanshme, duke refuzuar propozimin tonë për të zgjidhur këtë çështje përmes dialogut dhe diplomacisë, siç u përshtatet dy aleatëve, është plotësisht e pakuptimtë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Turqia, sipas deklaratës, do të ndërmarrë hapat e nevojshëm kundër këtij vendimi, i cili do të ndikojë, siç thuhet, negativisht në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe do të hakmerret në një mënyrë dhe në kohën që e gjykon të përshtatshme.
“Turqia nuk do të përmbahet kurrë nga ndërmarrja e masave të nevojshme për të ruajtur sigurinë e saj kombëtare. Me këtë mirëkuptim, ftojmë SHBA-në të rishikojë këtë vendim të padrejtë sanksionimi të shpallur dhe t’i shmanget këtij gabimi sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa theksojmë edhe një herë se Turqia është e gatshme të adresojë këtë çështje përmes dialogut dhe diplomacisë në përputhje me frymën e aleancës”.




