LajmeTeknologji

TIKTOK NËN HETIME PËR ÇËSHTJE TË PRIVATËSISË

Aplikacioni i videove TikTok po hetohet nga ana e Komisionit Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) për dy çështje që lidhen me privatësinë.

DPC është rregullatori kryesor në BE për çështjen e të dhënave personale.

Ky institucion po heton çështjen e përpunimit të të dhënave personale të fëmijëve dhe nëse TikTok vepron në bazë të ligjeve të BE-së sa i takon transferimit të të dhënave personale në vende të tjera, siç është Kina, transmeton BBC.

TikTok ka thënë se çështja e privatësisë është përparësia kryesore e kompanisë.

DPC tha se po hetonte në mënyrë specifike çështjet e lidhura me GDPR.

GDPR është rregullorja e përgjithshme e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë në Bashkimin Evropian dhe Zonën Ekonomike Evropiane. Kjo rregullore gjithashtu adreson çështjen e transferimit të të dhënave personale jashtë zonës së BE.

Në bazë të këtyre ligjeve të BE-së gjobat ndaj kompanive të teknologjisë në rast të shkeljeve mund të shkojnë deri në 4% të qarkullimit global.

DPC-ja ka thënë se hetimi i parë ka të bëjë me “përpunimin e të dhënave personale për përdoruesit nën moshën 18 vjeç, dhe masat e verifikimit të moshës për personat nën 13 vjeç”.

Ndërsa çështja e dytë që do të shqyrtohet është se sa transparent ka qenë TikTok për mënyrën sesi përpunon të dhëna të tilla.

Kjo nuk është hera e parë që DPC ka hetuar çështje të tilla për aplikacionet.

Në tetor të vitit 2020, rregullatori njoftoi se po hetonte trajtimin e të dhënave personale të fëmijëve nga Instagram, një aplikacion që është në pronësi të kompanisë Facebook.

Aplikacioni Tiktok tashmë është përballur me një veprim të ngjashëm juridik në Mbretërinë e Bashkuar, të kryesuar nga një ish-komisioner për çështjen e të drejtave të fëmijëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close