
Në Dibër, mjekët amë kanë vërejtur një rritje të numrit të vizitave, veçanërisht nga prindërit që kërkojnë ndihmë për fëmijët e prekur nga virozat verore. Po ashtu, personat me sëmundje kronike, si ata me probleme të zemrës, tensionit të gjakut apo diabetit, po përballen më shpesh me komplikime të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit po ndikojnë edhe në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për probleme shëndetësore. Këto temperatura të larta janë shoqëruar edhe me shtim të virozave, të cilat sipas mjekëve paraqiten kryesisht në formën e gastroenteriteve, me simptoma si të vjella, temperaturë, dhimbje barku dhe diarre. Mjekët thonë se më të rrezikuar nga këto gjendje janë fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.
Në Dibër, mjekët amë kanë vërejtur një rritje të numrit të vizitave, veçanërisht nga prindërit që kërkojnë ndihmë për fëmijët e prekur nga virozat verore. Po ashtu, personat me sëmundje kronike, si ata me probleme të zemrës, tensionit të gjakut apo diabetit, po përballen më shpesh me komplikime të shkaktuara nga temperaturat e larta. “Ka një shtim të virozave në verë, sidomos kur kemi kalim të menjëhershëm nga temperatura më të ulëta në temperatura të larta. Praktikisht, numri i pacientëve në ordinancën tonë gjatë një dite arrin deri në 50 për vizita dhe këshillim. Megjithatë, vetëdijesimi i prindërve është në nivel të lartë dhe nuk kemi pasur raste të rënda, pasi nënat tregojnë kujdes dhe i dërgojnë fëmijët me kohë te mjeku. Viroza ka gjatë gjithë vitit. Në stinën e verës ato paraqiten kryesisht si gastroenterite dhe prekin traktin gastrointestinal, ndërsa në dimër traktin respirator”, thotë pediatri i njohur dibran, Ylber Kokale.
Me qëllim parandalimin e virozave gjatë kësaj periudhe dhe forcimin e imunitetit, mjekët theksojnë rëndësinë e një ushqyerjeje të shëndetshme dhe të balancuar. Mes fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore ka edhe fëmijë të mërgimtarëve nga Amerika, të cilët kanë ardhur me prindërit e tyre për të kaluar pushimet verore në Dibër. Ndryshimi i klimës dhe temperaturave, sipas mjekëve, ndikon drejtpërdrejt në paraqitjen e virozave te këta fëmijë. “Rekomandoj pirjen e sa më shumë ujit gjatë ditës dhe një konsum të mirë të frutave dhe perimeve të stinës. Pjepri, avokado, bajamet, perimet me gjethe jeshile dhe bananet janë shumë të dobishme. Gjithashtu rekomandohen mishi i bardhë dy deri në tre herë në javë, pula, peshku dhe kosi. Shalqiri, pjepri dhe nektarinat janë po ashtu shumë të mira. Fëmijët duhet të konsumojnë sa më pak ushqime të skuqura, patatina dhe karamele, pasi ato ofrojnë vlera ushqyese të varfra. Vaktet duhet të jenë të lehta, sidomos dreka, në mënyrë që metabolizmi të funksionojë sa më mirë”, thotë pediatri Kokale.
Ai shton se pacientëve u rekomandohet që fillimisht të drejtohen te mjeku i familjes dhe të shmangin vetëmjekimin, pasi ai mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore.
Në këto ditë të nxehta vere, specialistët mjekësorë u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin këshillat dhe masat parandaluese. “Është shumë e rëndësishme parandalimi i këtyre virozave. Ai arrihet duke respektuar disa këshilla bazë: hidratim të mirë, higjienë të rregullt dhe konsum të ushqimeve të sigurta”, theksoi bashkëbiseduesi ynë, Ylber Kokale.
Sipas specialistëve të shëndetit, kujdes i veçantë kërkohet për moshat e treta, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Mjekët theksojnë se në rast të simptomave të vazhdueshme ose përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, qytetarët duhet të kërkojnë ndihmë profesionale dhe të shmangin vetëmjekimin, i cili mund të sjellë pasoja të padëshiruara.



