LajmeTeknologji

Teknologjitë që do të ndryshojnë të ardhmen

Produktet e qumështit të prodhuara në laborator

Ju mund të keni dëgjuar për “mishin” e kultivuar në laborator. Por ç’mund të themi për ushqimet e tjera me bazë shtazore? Një numër kompanish bioteknike në rritje, po shqyrtojnë mundësinë e bulmetit të prodhuar në laborator, përfshirë qumështin, akulloren, djathin dhe vezët.

Dhe më shumë sesa një  kompani mendon se e ka arritur tashmë këtë gjë. Industria e qumështit nuk është aspak miqësore me mjedisin. Ajo është përgjegjëse për 4 për qind të emetimeve të karbonit në atmosferë, më shumë sesa emetimet e udhëtimeve ajrore dhe transporti detar të marra së bashku.

Krahasuar me mishin, qumështi nuk është aq i vështirë për t’u prodhuar në një laborator. Në vend se ta prodhojnë atë nga qelizat burimore, shumica e studiuesve përpiqen ta prodhojnë atë në një proces fermentimi, duke synuar të prodhojnë proteinat e qumështit.

Disa produkte kanë dalë tashmë në treg në SHBA, nga kompani të tilla si “Perfect Day”. Ndërkohë, studiuesit po punojnë për mocarelën e prodhuar në laborator, që shkrihet në mënyrë të përsosur mbi një picë, ashtu si dhe djathërat e tjerë dhe akulloret.

Avionët me hidrogjen

Emetimet e karbonit janë një shqetësim i madh kur flitet për fluturimet komerciale. Por ekziston një zgjidhje e mundshme edhe për këtë problem. Një projekt rreth 15 milionë paundnë Britaninë e Madhe ka zbuluar planet për ndërtimin e një avioni që furnizohet me energjinë e prodhuar nga hidrogjeni .

Projekti “Fly Zero” po drejtohet nga Instituti i Teknologjisë Ajrore në bashkëpunim me qeverinë britanike. Ideja është prodhimi i një avioni me madhësi mesatare, që furnizohet me hidrogjen të lëngshëm. Ai do të kishte kapacitetin për të fluturuar me rreth 279 pasagjerë në bord deri në gjysmën e perimetrit të botës pa u ndalur. Nëse do të mund të realizohet kjo teknologji, do të kemi fluturime me zero emetime karboni në atmosferë dhe pa ndalesa midis Londrës dhe Amerikës Perëndimore, apo Londrës dhe Zelandës së  Re me një ndalesë të vetme.

“Binjakët” dixhitalë që analizojnë shëndetin tuaj

Në sagën e famshme “Star Trek”, ku lindën shumë nga idetë tona për teknologjinë e së ardhmes, qeniet njerëzore mund të ecnin në “medbay” dhe të skanonin të gjithë trupin e tyre në mënyrë dixhitale për shenja sëmundjesh apo lëndimesh.

Arritja e kësaj në jetën reale, thonë ekspertët e kompanisë “Q Bio”, do të përmirësonte gjendjen shëndetësore të njerëzve, dhe do të lehtësonte ngarkesën e mjekëve. Kompania amerikane ka ndërtuar një skaner, që do të matë qindra biomarkera në rreth 1 orë, nga nivelet e hormoneve tek dhjami i grumbulluar në mëlçinë tuaj, nga shënuesit e inflamacionit deri tek çdo lloj kanceri.

Ai synon t’i përdorë këto të dhëna për të prodhuar një avatar dixhital 3D të trupit të pacientit – i njohur si binjaku dixhital – që mund të gjurmohet me kalimin e kohës dhe të përditësohet me çdo skanim të ri. Shefi ekzekutiv i “Q Bio”, Xhef Kadic shpreson se kjo shpikje të çojë në një epokë të re të mjekësisë parandaluese, të personalizuar, në të cilën sasitë e mëdha të dhënave të mbledhura do të  ndihmojnë jo vetëm mjekët që t’i japin përparësi pacientëve të caktuar, por do të zhvillojnë mënyra më të sofistikuara për diagnostikimin e sëmundjes.

Universet e realitetit virtual

Pasi bëri ndryshimin e emrit, kompania e njohur dikur si Facebook njihet sot si Meta.

Kjo shënon lëvizjen e Zuckerberg dhe ekipit të tij të madh drejt metaversit, një internet i aksesuar kryesisht përmes realitetit virtual dhe atij të shtuar.

Si pjesë e kësaj lëvizjeje, Meta do t’i  kushtojë më shumë kohë pajisjeve për të hyrë në këtë botë të re. E promovuar në vitin 2021, Meta ka zhvilluar një lloj kufje të re “Project Cambria”. Në dallim nga “Oculus Quest 2”, kjo nuk do të jetë një pajisje për konsumatorin e zakonshëm.

Përkundrazi, ajo synon të ofrojë përvojën më të mirë të realitetit virtual. Cambria është e përqendruar në gjurmimin e përparuar të syve dhe fytyrës, ka një rezolucion më të lartë, fushëpamje më të gjerë, dhe madje përpiqet t’i bëjë kufjet dukshëm më të vogla. Midis Meta, GoogleSony dhe shumë kompanive të tjera të mëdha të teknologjisë, realiteti virtual do të ketë përmirësime drastike gjatë 2 viteve të ardhshme.

Kapja e Drejtpërdrejtë e Ajrit

Nëpërmjet procesit të fotosintezës, pemët kanë mbetur një nga mënyrat më të mira për të reduktuar nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë. Megjithatë, një teknologji e re mund të kryejë të njëjtin rol si pemët, duke thithur dioksid karboni në nivele më të larta.

Kjo teknologji njihet si Kapja e Drejtpërdrejtë e Ajrit (DAC). Ajo përfshin thithjen e dioksidittë karbonit nga ajri dhe ruajtjen e CO2 në vrima të thella gjeologjike nën tokë, ose përdorimin e tij në kombinim me hidrogjenin për të prodhuar lëndë djegëse sintetike.

Ndërsa kjo teknologji ka një potencial të madh, për momentin është  shumë e ndërlikuar, pasi modelet aktuale kërkojnë një sasi të madhe energjie. Nëse mund të reduktojë nivelet e energjisë në të ardhmen, DAC mund të jetë një nga përparimet më të mira teknologjike për të ardhmen e mjedisit.

Funeralet e gjelbra

Vdekja e njeriut priret të jetë një proces që prodhon shumë karbon. Djegia e një trupi thuhet se çliron rreth 400 kg dioksid karboni në atmosferë. Cila është zgjidhja? Në shtetin e Uashington në SHBA, trupat e pajetë vendosen në dhoma së  bashku me lëvore pemësh, kashtë dhe komponime të tjera që nxisin dekompozimin natyror.

Brenda 30 ditëve, trupi i të ndjerit shndërrohet në një tokë pjellore e cila mund të shpërndahet në një kopsht ose pyll. Në vitin 2019, aktori i ndjerë Luk Perri u varros me një “kostum kërpudhash” të dizajnuar nga start-up “Coeio”. Kompania pretendon se kostumi i saj, përbehet nga kërpudha dhe mikroorganizma të tjerë që ndihmojnë dekompozimin e trupit dhe neutralizojnë toksinat që çlirohen kur dekompozohet një trup./bota.al

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close