
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka dhënë alarmin se mijëra palestinezë që besohet se ndodhen ende nën rrënojat e Gazës mund të mos identifikohen kurrë, ndërsa operacionet për gjetjen dhe nxjerrjen e tyre vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha.
“Nuk ka dyshim se këta trupa së shpejti mund të bëhen shumë të vështirë për t’u identifikuar”, ka deklaruar zëdhënësi i Kryqit të Kuq në Jerusalem, Pat Griffiths. Ai theksoi se sa më shumë të vonohet nxjerrja e trupave nga rrënojat, aq më i vështirë bëhet përcaktimi i identitetit të tyre. Sipas Griffiths, shumë prej viktimave mund të gjenden në faza të avancuara dekompozimi, apo edhe të reduktuara në mbetje skeletore, çka i kufizon ndjeshëm mundësitë e ekspertëve mjekoligjorë për identifikim. Me kalimin e kohës gjithashtu humbasin edhe prova të rëndësishme rrethanore që mund të ndihmojnë në konfirmimin e identitetit të viktimave.
Kërkesat e vazhdueshme për lejimin e ekskavatorëve dhe makinerive të rënda, të domosdoshme për përshpejtimin e operacioneve, ende nuk kanë marrë miratim.



