
Deputeti Halil Snopçe ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit Bekim Qoku gjatë debatit për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, pasi ky i fundit i kishte kërkuar të dorëzonte mandatin e deputetit.
Sipas Snopçes, argumentimi i Qokut mund të kuptohet vetëm nga “logjika dhe intelekti që pretendon se e posedon vetë”, duke e cilësuar reagimin e tij si një “tragjikomedi”.
“Fatkeqësia në këtë tragjikomedi është se pjesa tragjike nuk bie mbi ata që e kanë propozuar ligjin, por mbi qytetarët që do të përballen me pasojat e tij. Ndërsa pjesa komike i mbetet VLEN-it dhe vetë Bekim Qokut, të cilët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i talljes publike për shkak të justifikimeve që ofrojnë”, ka deklaruar Snopçe.
Ai ka shtuar se Qoku po humb sensin politik dhe për këtë arsye, sipas tij, shpeshherë paraqitet qesharak në qëndrimet e tij publike.
Snopçe ka rikujtuar gjithashtu se Bekim Qoku është zgjedhur deputet në Zonën Zgjedhore numër 6 falë votave të qytetarëve shqiptarë nga Tetova, Gostivari, Vrapçishti dhe vendbanime të tjera.
“Paradoksi është se sot ai u kërkon përfaqësuesve të këtyre qytetarëve të dorëzojnë mandatet e tyre. Pikërisht kjo e bën qëndrimin e tij jo vetëm kontradiktor, por edhe qesharak”, ka theksuar deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.



