
Situata epidemiologjike me COVID-19 mbetet e qetë, pavarësisht se u krijua një shqetësim ditëve të fundit për një rikthim të mundshëm të virusit që më 2020 mbylli të gjithë botën.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) në Kosovë janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19. Sipas grupmoshave, rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grupmoshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.
Mirëpo, Vishaj u shpreh se numri i te infektuarve është në suazat e normales ndërsa për personin që ka humbur jetën u shpreh se COVID-i nuk ka qenë shkaktari kryesor i vdekjes.
Drejtori i Infektivës tha se njerëzit duhet të kuptojnë se COVID do të qëndrojë gjatë por 67 rastet e raportuar nuk është numër i lartë.
Në shkallë të një popullate që gjatë periudhës së ardhjes së mërgimtareve mbase ka qenë një popullatë 2 milionëshe kemi pasur dy tre raste dhe nuk bëhet fjalë asnjëherë për ndonjë rikthim të COVID-it ose ndonjë situatë paniku” tha Vishaj.
Tutje, Vishaj bëri thirrje për qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar të vaksinohen, ndërsa për qytetarët të cilët kanë simptoma të këtij infeksioni të paraqiten tek mjeku familjar në mundësinë e parë.
“Ne çdo herë ka tashmë tri vite që bëjmë apel njerëzve të pavaksinuar që të vaksinohen, unë nuk mund të imagjinoj një qytetar të vendit tonë i cili e ka mundësinë të vaksinohet dhe të rrezikojë që të mos vaksinohet, asnjë horizont që të mos vaksinohet nuk ekziston por njerëzit e bëjnë varësisht çfarë e kanë… Në qoftë se pacientet diagnostikohen sigurisht duhet të trajtohen te mjeku familjar në mundësitë e para që kanë dhe në qoftë se manifestohet ndonjë formë më të avancuar siç është prekja e sistemit respirator ose sistemeve të tjera për pasojë të drejtpërdrejt të COVID-it të vijë në Klinikën Infektive për trajtim” u shpreh Vishaj.
“Higjiena e duarve në çdo lloj situate duet të përfillet sigurisht, tashmë nuk jemi në situatën e distancës edhe atyre shtrëngimeve epidemiologjike që kemi pasur por popullata duhet të ketë një vëmendje të shtuar sepse qytete tona tashmë e kanë marrë formën e qytete moderne, kemi grumbullim të madh të popullatës në një hapësirë dhe gjithmonë mundësia e shpërthimeve të tilla ekziston, por për momentin e kemi një situatë shumë të qetë dhe asgjë për të krijuar ndonjë panik apo situatë të rikthimit të COVID-19.
Kur të jeni jo vetëm me COVID por edhe me grip tjetër e cila është sëmundje infektive nuk është e preferueshme dhe është si e tillë jo e pranueshme që personat e tillë të shkojnë në hapësira publike ku ka turma të mëdha atë njerëzve posaçërisht ku janë të mbyllura sepse mundësia e përhapjes infeksionit ekziston”, tha Vishaj për KosovaPress.



