Pas rrëzimit të regjimit të Bashar Al-Asadit dhe pas më shumë se një dekade luftë civile që shkatërroi një pjesë të madhe të infrastrukturës kryesore të Sirisë, Qeveria e përkohshme ka kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për rimëkëmbjen ekonomike dhe pajtimin kombëtar.
Ministri i Brendshëm, Maher Khalil Al-Hasan, bëri thirrje për më shumë investime, në kushtet e nevojës për restaurimin e rrugëve, urave, porteve, aeroporteve dhe infrastrukturës tjetër.
“Tregu sirian tani është i hapur për të gjitha kombet, përfshirë Japoninë. Siria ka mundësi të jashtëzakonshme investimi. Qeveria jonë ka besim të madh te çdo qytetar mbi perspektivën e punës krah për krah. Së bashku, nën udhëheqjen tonë të re, të gjithë sirianët do ta rindërtojnë këtë vend.”, – deklaroi ministri i Brendshëm i udhëheqjes së përkohshme, Maher K. Al-Hasan.
Pas këtyre deklaratave, Italia u shpreh e gatshme të mbështesë Sirinë për t’u rimëkëmbur pas shkatërrimit nga lufta.
“Të gjithë sirianët mund të mbështeten në miqësinë e Italisë, në veprimin e qeverisë italiane për të nxitur një sezon të ri në këtë vend të bukur që ka vuajtur kaq shumë vitet e fundit, por që meriton të kthehet në lavdinë e tij të mëparshme. Jam shumë i kënaqur që administrata e re ka bërë zgjedhjet e para duke shkuar në një drejtim që na ngushëllon dhe që ne e gjykojmë absolutisht pozitiv.”, – theksoi ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Bëhet e ditur se investimet masive në infrastrukturë nga komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojnë në stabilizimin e Sirisë pas 14 viteve të luftës civile dhe Turqia është vendosur të jetë një lojtar kyç në një zhvillim të tillë.
“Në periudhën e ardhshme, ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër terrorizmit të DEASh-it, ashtu edhe kundër PKK-së me të njëjtën vendosmëri dhe pa bërë dallime mes tyre. Mund të them se historia jonë në lidhje me Sirinë sapo ka filluar. Populli sirian tani po përballet me sfida të mëdha, veçanërisht në rindërtimin e vendit.”, – u shpreh ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.
Lidhur me komentet e Francës gjatë vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit në Paris, Fidan tha se Turqia injoron vendet që përpiqen të çojnë përpara interesat e tyre në Siri duke përdorur fuqinë e ShBA-së.
Turqia, e cila prej vitesh mbështeti rebelët që kërkonin të rrëzonin Al-Asadin, ka një rol potencialisht vendimtar në formësimin e së ardhmes së Sirisë për arsye të ndryshme gjeografike, politike dhe ekonomike.