
Grupet e armatosura të cilat luftojnë kundër regjimit të Bashar al-Asadit morën nën kontroll 4 vendbanime të tjera të qytetit Hama në Siri, transmeton Anadolu.
Grupet kundër regjimit të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham, të cilat janë përleshur me forcat e regjimit të Asadit që nga 27 nëntori, po përparojnë në drejtim të provincës Hama.
Grupet që u përleshën me forcat e regjimit, afërsisht 5 kilometra jashtë qendrës së qytetit Hama, morën kontrollin e vendbanimeve Pasif, Eljid, Al-Krayyim dhe Hamra.
Grupet sekuestruan gjithashtu Shkollën e Forcave të Blinduara, një nga bazat më të rëndësishme të forcave të regjimit pranë qendrës së qytetit të Hama-s dhe që përdorej si selia kryesore për Brigadën e 25-të.
Më 27 nëntor, shpërthyen luftime midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura kundër regjimit në periferinë perëndimore të provincës së Halepit në veri të Sirisë. Grupet e armatosura kundër regjimit, të cilat përparuan me shpejtësi nga periferia perëndimore e Halepit drejt qendrës më 28 nëntor, pushtuan pjesën më të madhe të qendrës më 30 nëntor.
Grupet e armatosura, të cilat morën kontrollin mbi të gjithë Idlibin duke marrë rrethin Khan Sheikhoun më 30 nëntor, vazhdojnë avancimin e tyre duke u përleshur në provincën Hama.
Qendra e rrethit Tel Rifat u çlirua nga terrorizmi gjatë operacionit “Agimi i Lirisë” të nisur më 1 dhjetor nga Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) kundër organizatës terroriste PKK/YPG në periferinë e Halepit.



