
Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fillimin e procesit të regjistrimit, ndërsa sot përfundoi afati i fundit për regjistrues rajonal. Për shkak të mungesës së regjistruesve, Qeveria ka marr vendim që nëse Enti Shtetërorë për Statistika do të ketë nevojë për më shumë regjistrues, në dispozicion do t’i ketë të punësuarit në institucionet shtetërore.
“Nesër do kemi informacione konkrete se sa kandidat kanë aplikuar dhe në cilat rajone, ndërsa pasnesër do të dimë se sa prej tyre e kanë kaluar testimin. Presim që gjithkund të kemi numër të mjaftueshëm të kandidatëve. Mundësinë që t’i kemi në dispozicion personat të cilët janë të angazhuar përkohësisht në institucionet e shtetit dhe vetëqeverisjes lokale është për aty ku eventualisht nuk ka kuadër të mjaftueshëm të mund të intervenohet. E do të intervenojnë sipas nevojave se sa dhe çfarë lloj i kuadrit na duhet”, deklaroi Simovski.
Për shkak të rritjes së numrit me të infektuar nga Covid-19, a do të mund të ndryshohet metodologjia e regjistrimit dhe të shqyrtohet propozimi i opozitës maqedonase për regjistrim online!? Simovski pohoi se një gjë e tillë nuk vjen parasysh.
“Mendoj se është e qartë për të gjithë se nuk mund të mendohet një gjë e tillë që te ndryshohet metodologjia. Metodologjia është sjellë në pajtueshmëri me ligjin, e publikuar në Gazetën zyrtare dhe e miratuar nga Eurostat dhe ndryshimi i metodologjisë nuk vjen në parasysh. Lidhur me çfarëdolloj refuzimi për regjistrim, ligji është shumë i qartë, ky është aktivitet i detyrueshëm, është obligim për të gjithë, nuk është aktivitet vullnetar”, tha ai.
Simovski thotë se janë gati për fillimin e operacioni statistikor, shtoi se të gjitha komisionet janë të gatshme për punën e tyre dhe se për momentin mbahen trajnimet e instruktorëve rajonalë, ndërsa për disa ditë do të fillojnë edhe trajnimet për regjistruesit. Regjistrimi i popullsisë do të fillojë më 5 shtator dhe do të zgjas deri në fund të muajit shtator. Ndërkaq vazhdon regjistrimi i diasporës.



