
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova do të marrë pjesë sot në Sofje në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL). Në margjinat e samitit, presidentja do të zhvillojë takime dypalëshe me presidenten e Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova, si dhe me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në samit, Siljanovska-Davkova do t’i drejtohet seancës plenare me temën “Kompas drejt stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë”.
Duke paralajmëruar bisedimet me presidenten bullgare Jotova, Siljanovska-Davkova deklaroi në një intervistë televizive se takimi do të jetë vazhdim i kontakteve të mëparshme dhe një mundësi për forcimin e besimit ndërmjet dy vendeve, duke shprehur pritjen që të hapen edhe çështje thelbësore në marrëdhëniet dypalëshe.
“Ky është një vazhdim i natyrshëm i takimit tonë në Jerevan dhe i një bisede të këndshme mes nesh. Mendoj se duhet ta vazhdojmë këtë dhe për këtë arsye përmenda nevojën për masa që ndërtojnë besim. Nëse qytetarët nuk komunikojnë, nëse nuk marrim pjesë së bashku në projekte, vështirë se mund të përparojmë. Kur takova për herë të parë zotin Radev në Sofje dhe ndodhi incidenti me flamujt, u harrua fakti se gjatë drekës së punës ai foli për nevojën e bashkëpunimit në shumë fusha ku së bashku mund të arrinim më shumë suksese. Mendoj se kjo është mënyra e vetme për t’u sjellë me mirëbesim. Të mos ofendojmë, të mos lëndojmë dhe të përpiqemi t’i peshojmë fjalët tona”, tha presidentja.
Mikpritëse e samitit është presidentja bullgare Ilijana Jotova. Në takim do të marrin pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Bećirović, kryeministri moldav, Alexandru Munteanu, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane i Kroacisë, Gordan Grlić Radman, si dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Amer Kapetanović.
Para fillimit të samitit, në kuadër të kryesimit bullgar të PBEJL-së, do të mbahet edhe takimi i ministrave të Jashtëm, ku do të marrë pjesë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Takimi do të shënojë 30-vjetorin e themelimit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe do të mbahet nën moton: “Kompas i përbashkët për një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të zhvillueshëm – 30 vite pronësi rajonale dhe aspiratë evropiane”.
Në fokus të diskutimeve do të jenë perspektiva evropiane e Evropës Juglindore, avancimi i bashkëpunimit rajonal, forcimi i sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit, si dhe thellimi i integrimit ekonomik, konkurrueshmërisë dhe ndërlidhjes në kushtet e sfidave aktuale gjeopolitike.
Në përfundim të takimit pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të konfirmohet përkushtimi i pjesëmarrësve ndaj paqes, stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm, bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes evropiane të Evropës Juglindore.
Samiti përbën ngjarjen përmbyllëse të kryesimit bullgar me PBEJL-në, të cilin Bullgaria e mori nga Shqipëria në vitin 2025. Gjatë samitit, Bullgaria do t’ia dorëzojë kryesimin Rumanisë për mandatin e ardhshëm njëvjeçar.
Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është forumi më i lartë politik për bashkëpunim rajonal në Evropën Juglindore dhe një platformë e rëndësishme për promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut politik dhe integrimit evropian të rajonit. Nisma u themelua në vitin 1996 pikërisht në Sofje, ndërsa sot përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bullgarinë, Bosnje e Hercegovinën, Greqinë, Kosovën, Moldavinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Serbinë, Turqinë, Kroacinë dhe Malin e Zi.



