
Shkruan; Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog
Dilema se a i duhen Kosovës fytyra të reja deputetësh profesionistë, e jo figura të njëjta që vetëm reciklohen në parlament, që shpesh e dëgjoj nga ca protagonistë opozitarë, në fakt ma përkujton anamnezën e stërkonsumimit si të lidershipëve të dalë nga lufta e ndodhur, ashtu edhe të atyre që u afirmuan në kohë paqeje, të cilët pothuajse gati tri dekada me radh na imponohen me kinse kredi morale, etike e politike. Duke harruar kështu që çdo gjë, si në politikë ashtu edhe në jetë, e ka një “mandat” që deri diku e “ushqen” masën e gjerë publike. Politikanët tanë aktualë nuk duhet të harrojnë se insistimi që, me çdo kusht, qoftë në kalkulimet për lidership, për poste, e sidomos për të qenë gjithnjë prezentë edhe në aulën e parlamentit, ku edhe krijohen dhe marrin formë konturat e arkitekturës shtetërore, është njëkohësisht edhe “bumerang” për vetë personalitetin e tyre personal, por edhe për subjektin që ata mendojnë se mund ta përfaqësojnë, siç thotë populli: “derisa Zoti t’ua marrë shpirtin”!?

Për ta absolvuar këtë hipotezë, jam shumë i bindur që Kosovës, në zgjedhjet e 7 qershorit, por edhe në ciklet tjera zgjedhore, nuk i duhen vetëm fytyra të reja servile në parlament, por një elitë e re politike që ka dëshmi
1. për profesionalizëm në lëmitë e ndryshme,
2. pastaj integritet meritokratik dhe një kulturë shtetformuese, e jo riciklim i vazhdueshëm i figurave që e kanë shndërruar parlamentin në arenë të rutinës partiake.
Themi kështu, shkaku se momentumi historik, por edhe ai gjeopolitik e gjeostrategjik, të cilin e kam identifikuar si “kaos” té kontrolluar kërkon deputetë e politikanë të ngritur që e kanë pasion patriotizmin e shtetndërtimit dhe të Republikës, e jo servilë të cilët, me kartën e dëgjueshmërisë dhe besueshmërisë partiake e ideologjike, janë në gjendje në çdo moment t’i kontestojnë si interesat e shtetit, ashtu edhe ato të kombit.
Kështu që nëse vazhdon edhe né qershor ky trend, “reciklimi” i figurave të njëjta në skenën aktuale politike ka shumë gjasa të marrë përmasat e asaj që në sociologjinë e zhvillimit shquhet dhe identifikohet si proces i “stagnimit të rindërtimit të elitave politike” që në fakt nënkupton vetëm vendnumërim dhe ngërçe të reja. Fenomeni i “stagnimit..” zbulohet pikërisht atëherë kur individë e fytyra të njëjta publike politike ushtrojnë rokada për poste parlamentare, për ato partiake apo poste institucionale e diplomatike, ku të mbushet mendja se pa ta nuk mund të funksionojë as partia, as parlamenti, as diplomacia, as sistemi e madje as demokracia!?
Megjithate, duhet sqaruar se kur flasim për deputet profesionist e meritokrat, këtu nuk nënkuptojmë vetëm figura me diplomë, që sistemi aktual arsimor është duke i “prodhuar” me té madhe si analfabetë funksionalë (!), por përfaqësues të denjë që, përveç dijes sektoriale, pastaj integritetit të dëshmuar publik, posedojnë edhe kulturë argumentuese debati për politikat e rëndësishme publike. Në këte kontekst duhet kuptuar se të gjitha legjislaturat e deritanishme parlamentare kosovare, aula e parlamentitit në sytë e qytetaréve të rëndomët është perceptuar jo si “arenë gladiatorësh” të dijes, të vizionit dhe ekspertizës për proceset shtetndërtuese, por si arenë e lojaliteteve dhe poltronizmave partiake që pak ose aspak kishin të bënin me interesin e Republikës.
Në fakt, deputetët e dy legjislaturave të fundit ishin më shumë “skllavë” të liderit dhe partisë sesa të institucionit që përfaqësonin! Sepse, si mund të shpjegohen si votimet ashtu edhe prononcimet e tyre, për shembull në situatat e ngërçit dhe (sh)fajsimit që Kosovës ia humbën 18 muaj konsolidim institucional, kur që të gjithë votonin si në kor!? Ndërkaq, paramendoni 26 deputet të késaj legjislature, asnjë fjalë të vetme nuk e thanë.
Një mangësi tjetër sociologjike që unë e shoh te mungesa e fytyrave të reja apo elitave të reja është se të vjetrat, duke qenë të sigurta në pozitat e tyre partiake e institucionale, nuk janë të prirura fare të prodhojnë ide, narrativa e projekte të reja kreative as për partinë, as për parlamentin e as për shtetin.
Thjesht, fatëpajtimi i tyre me statuset privilegjuese në parti dhe institucione fare nuk i motivon që ata të dalin nga lëvozhga e arritur statusore. Shto këtu edhe perceptimin elektoral, por edhe atë gjithëqytetar, kur votohet gjithnjë për figura të tilla recikluese që, përveç apatisë dhe vendnumërimit, asgjë tjetër nuk prodhojnë.
S’këndejmi, i këshilloj të gjitha partitë qeveritare dhe opozitare që, kur të përpilojnë listat për deputetë që nesër mund të jenë edhe bartës të institucioneve ku Republika do të ballafaqohet me sfida nga më të ndryshmet integruese, ato për Asociacionin dhe sfidat tjera relevante, të përkujdesen që të bazohen (ekskluzivisht!) në kriteret e lartcekura të meritokracisë, profesionalizmit, integritetit dhe kulturës shtetformuese të kandidatëve potencial.
Sepse vetëm kështu mund të avancohet demokracia jonë e brishtë, por edhe të krijohet ajo ndjeshmëria dhe fleksibiliteti i fjetur ndaj problemeve tona aktuale si teknologjia informative, emigrimi si “thembër Akili”, ekonomia digjitale, arsimi, shëndetësia etj., që e rëndojnë vendin.
Nuk thuhet kot, nga përvoja e vendeve në tranzicion, se një demokraci që riciklon vazhdimisht të njëjtat fytyra parlamentare rrezikon në vazhdimësi të mbetet peng i mendësive të vjetra, e jo i ideve të reja….



