LajmeRajon

Shqipëria anëtarësohet në SEPA, përfitimet për qytetarët dhe bizneset

Nga sot, Shqipëria është pjesë e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA).

Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta.

Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht ulet koha e kryerjes së pagesave, dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.

Në nivel kombëtar, ky anëtarësim nxit përfshirjen financiare, redukton përdorimin e parasë fizike, zgjeron produktet dhe shërbimet e pagesave dhe nxit zhvillimin e teknologjisë financiare.

Në nivel ndërkufitar, ky anëtarësim nxit ndërveprimin tregtar dhe lëvizjen e flukseve monetare me Bashkimin Evropian. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet e BE-së dhe krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasjen në tregun evropian prej 450 milionë banorësh, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive.

Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte, etj. Projeksionet vlerësojnë se në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA.

Related Articles

Back to top button
Close
Close