Në Shqipëri është hapur edicioni i dytë i panairit të industrisë automotive “Automotive Fair Albania”, ku pjesë e tij janë kompani me prezantimin e automjeteve dhe institucione të ndryshme.
Panairi që i kushtohet sektorit të automobilizmit, transportit dhe teknologjive të fundit mbi këtë sektor organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit në Qeverinë e Shqipërisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR), Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës.
Ceremonia e hapjes së panairit është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësuesve të shoqatave të biznesit.
Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit në Qeverinë e Shqipërisë, në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes theksoi se industria automotive do të vazhdojë të zhvillohet.
“Gjatë ditëve të panairit, do të ketë një shou fantastik që do t’i japë adrenalinë dhe pozitivitet qytetit. Tirana këto ditë do të sjellë bashkë të gjithë elementët që sjellin zhvillim”, u shpreh Ibrahimaj.
Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, u shpreh se edicioni i dytë i “Automotive Fair Albani” rikthehet si një dëshmi e peizazhit dinamik dhe gjithnjë në zhvillim të automotorizimit në Shqipëri dhe më gjerë, duke shërbyer sipas tij si një katalizator që bashkon novatorët dhe prodhuesit.
“Industria automotive luan një rol jetik dhe është një forcë lëvizëse në ekonominë tonë duke kontribuar në punësim, zhvillimin e infrastrukturës, lëvizshmërinë e qytetarëve, transportin e mallrave dhe avancimin teknologjik”, tha Gonxhja,.
Një fjalë përshëndetëse në ceremoninë hapjes mbajti edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Pjesë e panairit janë edhe mjetet historike “Retro”, që posedohen nga të pasionuarit pas automjeteve të vjetra historike, ndërkohë automjetet, pjesët automjeteve si dhe aksesorët e ndryshëm do të ekspozohen për disa ditë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, dhe në disa sheshe të Tiranës.
Sipas organizatorëve, panairi i cili do të jetë i hapur deri më 29 tetor organizohet me qëllim të promovimit të industrisë së automobilave.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.Top24