
Konsumi i ujit në Shkup dhe rajonin përreth sërish është jashtëzakonisht i lartë, njoftojnë nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim – Shkup”. Sipas tyre, konsumi i djeshëm i ujit ka arritur rreth 360,000 metra kub në ditë, çka sipas sistemit të tyre të monitorimit përbën shpenzim të pakontrolluar, që rëndon sistemin e furnizimit me ujë.
Për shkak të kësaj gjendjeje, sistemi i ujësjellësit funksionon me presion të ulët dhe në disa pjesë të kryeqytetit ka ndërprerje të përkohshme në furnizimin me ujë.
Nga ndërmarrja u bëjnë apel qytetarëve që të përdorin ujin e pijshëm në mënyrë të arsyeshme dhe të ndërgjegjshme, sidomos gjatë periudhës së verës. Kërkohet të shmanget përdorimi i tij për aktivitete si: ujitja e kopshteve, larja e veturave, mbushja e pishinave dhe veprime të ngjashme.



