
Pas një pauze dyjavore për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, Shkëndija rikthehet në fushë këtë fundjavë në kuadër të xhiros së 15-të të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Në orën 17:00 të së dielës (24 nëntor), kuqezinjtë do të udhëtojnë në Manastir për përballjen me Pelisterin, duke synuar vazhdimin e formës pozitive dhe konsolidimin në krye të tabelës.
Skuadra shkoi në pauzë pas një fitoreje 4:3 ndaj Brerës, që e siguroi vendin e parë në klasifikim, megjithëse me pikë të barabarta me Sileksin dhe Gostivarin. Pauza ishte e mirëpritur pas një kalendari të ngjeshur ndeshjesh fundjavë-mesjavë, duke i dhënë ekipit mundësinë për të pushuar, për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar dhe për të rifreskuar energjitë në prag të sfidave të ardhshme.
Atmosfera brenda ekipit është pozitive dhe optimiste, ndërsa të gjithë janë të përqendruar në përgatitjet për takimin e radhës.
“Pauza na ndihmoi të rikuperohemi fizikisht dhe psiqikisht pas një periudhe të ngarkuar. Skuadra është në atmosferë të mirë dhe të gjithë jemi të motivuar për të vazhduar me fitore. E dimë që çdo ndeshje është sfiduese, por synimi ynë ndaj Pelisterit është i qartë, duam tri pikët që të ruajmë pozitat tona si liderë në tabelë”, shprehet mbrojtësi i djathtë, Aleksander Trumçi, duke folur për përshtypjet e tij për këtë periudhë dhe pritshmëritë për ndeshjen kundër Pelisterit.



