LajmeRajon

Shënjestra e atentatit të dështuar, person me precedentë penal! 40-vjeçari Renato Çepa, lidhje me personazhe të njohur të botës së krimit

Renato Çepa, shënjestra e atentatit të dështuar në Elbasan, rezulton person me precedentë penalë në fushën e lëndëve narkotike.

40-vjeçari raportohet se ka lidhje me personazhe të botës së krimit. Ai rezulton i skeduar nga policia për lidhje Emiljano Ramazanin, i cili u vra 4 vite më parë, si edhe me emra të tjerë të njohur të botës së krimit.

Emiljano Ramazani ka qenë një eksponent i dalluar i krimit në qytet, që njihej për lidhjet e tij me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Ai u qëllua për vdekje  vetëm pak sekonda pasi ishte ndalur me makinën e tij në sheshpushimin e pallatit ku banonte në vendin e njohur si ‘Rrethrrotullimi i Luleve’ në Elbasan.

Erjon Alibej akuzohet si organizatori dhe porositësi i vrasjes së  ndodhur më 20 korrik 2020. Gjithashtu 9 ditë më vonë, më 29 korrik 2020 u vra edhe shoku i tij Regis Runaj, i cili u gjet i pajetë në afërsi të varrezave të qytetit.

Sipas hetimeve, Erjon Alibej pagoi Euglen Halilin dhe Xhuljano Hoxhën për kryerjen e dy vrasjeve si shenjë hakmarrje për vëllain e tij.

Atentati i dështuar

Një 24-vjeçar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, humbi jetën pasi i shpërtheu lënda plasëse që po tentonte t’ia vendoste mjetit të 40-vjeçarit Renato Çepa.

Viktima dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal, ndërsa humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.

24-vjeçari ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal të Elbasanit dhe policia po heton ngjarjen. I riu, sipas policisë, po vendoste eksplozivin në mjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit R. Ç., por lënda plasëse i shpërtheu duke i shkaktuar dëmtime. Për pasojë, 24-vjeçari ndërroi jetën në spital.

Po kështu policia po heton dhe konfliktet e mundshme të shënjestrës së atentatit që mbeti në tentativë me inicialet R.Ç.

“Rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se një shtetas rreth 24 vjeç, duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit R. Ç., lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 24 vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra 24-vjeçari ka humbur jetën në spital.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes”, njoftoi policia.

Related Articles

Back to top button
Close
Close