LajmeRajon

Shembja e pallatit te njësia nr.4, Hoxha: Ato njerëz duhet të ishin nxjerrë nga godina që pas tërmetit

I ftuar në “Milori Live” në Klan News, analisti Artan Hoxha u shpreh se shembja e pallatit te njësia numër 4 në kryeqytet është aksion që duhej ndërmarrë kohë më parë.

Hoxha tha se për aq kohë sa kryeministri e thotë qartë se ai pallat mund të shembej me një të “shtyrë”, atëherë banorët duhet të ishin evakuar në mënyrë urgjente.

“Ato njerëz duhet të ishin nxjerrë nga godina që pas tërmetit”-theksoi Hoxha.

Pjesë nga intervista në studio:

Artan Hoxha: Në shtator ndodhi një tërmet i parë, ai pallati atje i atyre të gjorëve e dha krisjen. Sikur të kishim zhvendosur nga ky pallat në kohën e duhur për t’i paraprirë tërmetit të dytë që ndodhi në Nëntor të 2019-ës, ne nuk do kishim pasur mbi 20 viktima vetëm në një pallat. Normalisht, as tërmeti i Shtatorit s’do duhet të kishte qenë pritur nga autoritetet që merren me sigurinë e jetës së njerëzve në banesa. Por le të themi që u dha një paralajmërim në Shtator dhe atëherë do duhej bërë një evakuim imediat i atyre njerëzve nga godina dhe do ishte shmangur një katastrofë e tillë njerëzore me humbjen e aq shumë njerëzve dhe dramën e familjarëve që mbetën gjallë.

Tani, qeveria e “djegur” nga kjo supë, kërkon të prishë godina të rrezikshme, nuk bën keq. Por,  dëgjoj kryeministrin që thotë ç’janë ata që i dalin në krah atyre që janë në atë pallat që me një të shtyrë mund të bjerë. Nëqoftëse e thua këtë gjë dhe merr përsipër ta prishësh pallatin pas 3 vjetësh që ai ka marrë atë krisje të fortë nga tërmeti i 2019-ës, kjo është prapë papërgjegjshmëri. Ata njerëz do duheshin nxjerrë në atë moment, dhe s’duhet të ishin futur më.

Mirela Milori: Kanë qenë një sërë ekspertizash…Futën inxhinerët që panë, bënë verifikimet e duhura…

Artan Hoxha: Shumë dakord, atëherë s’paska qenë aq e dukshme sa e bën kryeministri, me një të shtyrë me brryl rrëzohet pallati. U paska dasht ekspertizë, atëherë pse anatemon të tjerët që kërkojnë që vlerësimet dhe tempo-ritmi i qeverisë të jetë në kohën e duhur? Unë po them që nëse ai pallat është prishur pas 3 vitesh,  mban përgjegjësi ai që se ka prishur pas 3 ditësh. Kthimi i njerëzve në pallat, bërja e dy tre vlerësimeve, njëher mban, njëherë s’mban…Ata njerëz i ç’orienton!

Dhe ata me të drejtë fillojnë e mendojnë mos ka ndonjë skemë interesash për të bërë ca ndërtime të tjera. Jam informuar se ata thonë që nuk do marrin të njëjtën sipërfaqe. Çështja e parë është e sigurisë, pyetja ime për qeverinë është: Pse e prish pas 3 vitesh kur ky pallat sipas kryeministrit u shembkërka me një të shtyrë?!

Kush mban përgjegjësi, po sikur të kishte ndodhur ndonjë hata?! Kaq e ndriçuar është kjo qeveri sa të kërkojë  llogari ndaj një pale tjetër që u del në krah atyre banorëve? Dhe nuk është se i del që të qëndrojë në ato shtëpi të rrezikshme por që kujdesi i qeverisë për ta të jetë i qartë, i pastër dhe i besueshëm. Se nuk ka shkuar njeri dhe i ka nxitur banorët, ata dalin sepse janë një komunitet i shqetësuar. Nuk jemi përballë një ngjarjeje të izoluar, përballë çdo projekti të qeverisë shohim një plan dhe ekzekutim arbitrar./tvklan.al

Related Articles

Back to top button
Close
Close