Më 16 mars, ushtria ukrainase raportoi se trupat ruse kishin kryer sulme të shumta në pozicionet ukrainase në dhe rreth qytetit të Bahmutit brenda 24 orëve të fundit, duke vazhduar luftimin intensiv disamujor për kontrollin e qytetit në rajonin lindor të Donjeckut.
Sipas njoftimit të përditshëm të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, trupat ukrainase zmbrapsën me sukses “sulme të shumta” në zonat veriore dhe perëndimore të Bahmutit, veçanërisht në Orikovo-Vasilivka dhe Bodanivka.
“Rusia vazhdon të kryejë sulme, pavarësisht humbeve”, thuhet në raport, ku shtohet se në të njëjtën kohë forcat e Moskës kanë përparuar në zona tjera kyçe në rajonin e Donjeckut, me fokus në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shaktarsk, me më shumë se 75 sulme në 24 orët e fundit.
Rusia gjithashtu kreu një sulm me raketa në qytetin lindor të Kharkiv, ku kishte cak shkatërrimin e infrastrukturës energjetike dhe civile, tha ushtria.
Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral Pat Ryder paralajmëroi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për rezultatin e betejës për Ukrainën lindore.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në një takim virtual të të ashtuquajturit grupi Ramstein i dhjetëra vendeve që kanë ofruar armë për Kievin, se gjithsej nëntë vende janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me 150 tanke Leopard.
Austin tha se mbrojtja e Ukrainës ka arritur “momentin e saj vendimtar”, pasi Rusisë tani “po i mbarojnë opsionet”.
“Rusisë i është dashur të mbështetet në Iranin dhe Korenë e Veriut dhe të përdorë pajisje të Luftës së Dytë Botërore. Kështu që Rusisë po i mbarojnë mundësitë dhe miqtë”, tha Austin.
Milley deklaroi se liderët ushtarakë të Rusisë nuk po mbështesin efektivisht trupat e tyre, dhe ai gjithashtu nënvizoi se rezervat ushtarake të tyre po shterohen me një ritëm të shpejtë.