
Ylli zviceran, Xherdan Shaqiri në afatin kalimtar dimëror iu bashkua Chicago pas vetëm gjashtë muajve huazim te Lyon.
Gjatë konferencës për shtyp te Chicago Fire, Shaqiri pranoi se u largua shkaku i trajnerit Peter Bosz, transmeton lajmi.net.
“Ishte diçka me trajnerin, teknikisht dhe personalisht, ku nuk u përshtata me të”, ishte përgjigja e shkurtër e mesfushorit me tipare ofensive.
Në përgjithësi, Shaqiri qëndroi më shumë në stol, derisa në javët e fundit para largimit, zhvilloi disa paraqitje më shumë, siç ishte shkëlqimi në fitoren ndaj Marsielle, ku asistoi dhe shënoi.
Ndërkohë, Shaqiri tutje theksoi se ndihet i emocionuar për sfidën në Amerikë dhe që është i gatshëm të provojë diçka të re.
“Lojtarë të mirë kanë luajtur në MLS. Kampionati është duke përparuar, është kampionat i mirë. Projekti është emocionues. Doja të provoja diçka të re”, nënvizoi Shaqiri.



