
Opinion nga Naser Selmani
Kallëzimi penal i VLEN-it kundër kandidatit të opozitës shqiptare për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, për kinse keqpërdorim të mjeteve publike gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Punëve të Jashtme, përbën një goditje të ulët nën brez që rrezikon të cënojë legjitimitetin e zgjedhjeve lokale në kampin politik shqiptar.
Pa hyrë në vlerësimin e akuzave konkrete, vetë fakti që kjo nismë vjen nga një parti qeveritare dhe dorëzohet në prag të fushatës zgjedhore, ngjall dyshime serioze se pushteti po përdor metoda të pandershme e jodemokratike për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Ky veprim ushqen edhe perceptimin se organet e drejtësisë po keqpërdoren për të diskredituar ose për të eliminuar një kandidat opozitar nga gara.
VLEN është në qeveri më shumë se një vit dhe ka pasur kohë të mjaftueshme për të hetuar çdo ish-funksionar opozitar të dyshuar për shkelje. Prandaj lind pyetja: pse kallëzimi nuk u bë më herët, ose pse nuk u prit të kalonin zgjedhjet? Krimet e pretenduara nuk vjetërohen, pavarësisht rezultatit të garës.
Tre skenarë të mundshëm
Motivet e këtij veprimi mund të jenë disa:
1. Diskreditimi publik i Osmanit, për të zbehur arritjet e tij politike e profesionale krahasuar me kandidatin e tyre.
2. Frikësimi i Osmanit dhe ngadalësimi i fushatës së tij, që ka nisur me energji e entuziazëm. Në këtë rast, VLEN po përdor metoda tipike të vendeve jodemokratike: padi penale, presione dhe shantazhe.
3. Opsioni ekstrem – eliminimi i Osmanit nga gara përmes arrestimit. Një skenar i tillë do të kishte pasoja të rënda për demokracinë, do të provokonte reagim të ashpër të opozitës dhe faktorit ndërkombëtar dhe do ta vinte Maqedoninë e Veriut në rrezik izolimi, duke fundosur përfundimisht perspektivën e saj evropiane.
Megjithatë, një hap i tillë do të rezultonte në efekt të kundërt për pushtetin. Osmani nuk është një figurë e panjohur dhe as e pambështetur; ai ka lidhje të fuqishme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim përfaqëson një forcë serioze politike. Viktimizimi i tij vetëm do ta fuqizonte si figurë publike dhe do t’i jepte opozitës një agjendë të qartë politike.
Pasiguria e VLEN-it
Në çdo rast, ky kallëzim penal tregon pasigurinë e VLEN-it. Në vend që të fokusohen te cilësitë e kandidatit të tyre, ata zgjedhin fushatën negative për të njollosur kundërshtarin.
Më tej, Izet Mexhiti përballet me një problem tjetër: nuk mund ta përdorë më me të njëjtën forcë argumentin e konsumuar të VLEN-it se “BDI nuk ka bërë asgjë për 20 vite në pushtet”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë çfarë bilanci ka vetë Mexhiti nga tre mandatet e tij si kryetar i Çairit?
Kjo është një pyetje e pakëndshme, për të cilën shqiptarët presin përgjigje të qarta e bindëse.
https://www.facebook.com/share/v/1BJ3Mk4Zv3/?mibextid=wwXIfr



